U nda nga jeta një prej legjendave të futbollit të shqiptarëve, Fadil Vokrri
Eshtë ndarë nga jeta legjenda e futbollit kosovar, por jo vetëm e Kosovës. Ai mbetet një nga legjendat e krejt futbollit shqiptar. Janë të shumtë njerëzit, politikanët, personalitetet dhe çdo sportdashës që u pikëlluan nga ikja para kohe e Fadil Vokrrit, presidentit të federatës kosovare të futbollit dhe një nga legjendat e shqiptarëve në futboll.
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar menjëherë pasi mori vesh lajmin e trishtë.
Reagimi i plotë:
Federata Shqiptare e Futbollit ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohëshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës,Fadil Vokrri.
Në emër të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka, sekretarit të përgjithshëm z.Ilir Shulku, si edhe të gjithë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, spordashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohëshme nga jeta të zotit Vokrri, që vuri gjithcka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë.
Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Europë dhe në Botë.
FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së.
Ndarja e tij e parakohëshme nga jeta mbetet një humbje shumë e madhe për futbollin kosovar, por edhe për të gjitha trevat shqipfolëse anembanë botës.
Lamtumirë miku ynë Fadil!
Shpirti yt u prehtë në paqe!
Reagojnë FIFA dhe UEFA
Fadil Vokrri, president i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka vdekur në moshën 57 vjeçare, shkruan faqja zyrtare e shtëpisë më të madhe të futbollit, FIFA.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino është shprehur i pikëlluar për vdekjen e Vokrrit. Mirëpo është ndjerë krenar që e ka njohur Fadil Vokrrin dhe e ka quajtur njeri shembull për të gjithë.
“Mora me pikëllim këtë lajm, në emër timin dhe të komunitetit të futbollit mbarëbotëror shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e Fadil Vokrrit,” tha Presidenti Infantino.
“Ai ka qenë një pionier në shumë mënyra dhe ka arritur një karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube e liga të ndryshme të nivelit të lartë, në një kohë kur nuk ishte aq e zakonshme sa sot. Hodhi themelet për anëtarësimin e Kosovës në FIFA”, thotë Presidenti i FIFA-s. “Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim, forcë dhe bindje. Fadili i kishte të gjitha, ai ishte njeri shembull i entuziazmit, energjisë dhe një udhëheqës i madh. Jam krenar që e kam njohur dhe kam punuar me të”, përfundon Presidenti, Infantino.
Ish-futbollisti i Partizanit të Beogradit, Nimes dhe Fenerbahces përpara luajti në Jugosllavi në nivel ndërkombëtar në vitet 1980 dhe u cilësua lojtari më i mirë i vendit në vitin 1987. I lindur në Prishtinë, ai filloi karrierën e tij duke luajtur në klubin e tij të lindjes, ku fitoi reputacion si një nga lojtarët më të mirë nga Ballkani. Kur ai ishe në krye të FFK-së, Kosova u bë anëtare FIFA-s në vitin 2016, në kongresin e 66-të, shkruan FIFA.
Aleksander Ceferin, numri një i UEFA-s, e ka lartësuar figurën e Fadilit.
“Jemi të tronditur dhe shumë të pikëlluar për vdekjen e Fadil Vokrrit,” tha presidenti i UEFA Aleksander Čeferin. “Ai ishte një futbollist i shquar që gëzonte një karrierë më të shquar dhe u bë administrator i futbollit dhe president i federatës shtetërore, i kalibrit më të lartë”.
“Fadili ishte figura kryesore në zhvillimin e futbollit të Kosovës që çoi Federatën e Futbollit të Kosovës duke u bërë anëtare e UEFA-s më 2016. Në periudhën që prej atëherë, ai kishte udhëhequr integrimin e shoqatës brenda UEFA-s me aftësi dhe përpjekje të madhe”. thuhet në postimin e UEFA-s. “Në emër të futbollit evropian, dëshiroj të shpreh simpatinë më të thellë për familjen e tij, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe komunitetin e futbollit të Kosovës”.
Mediat serbe publikojnë fotografi të Vokrrit në kohën kur luante për Jugosllavinë
Legjenda e futbollit, Fadil Vokrri në vitet e 80-ta kishte luajtur për ekipin serb të futbollit ‘Partizani’ dhe kështu po e kujtojnë qytetarët e Beogradit në kohët e arta kur ai shkëlqeu në këtë ekip.
Edhe mediat në Serbi kanë raportuar për vdekjen e tij, dhe kanë publikuar edhe fotografi të kohës kur ai ka luajtur për ish-Jugosllavinë.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.
Kreu i shtetit shqiptar e quan një lajm tronditës për shumë shqiptarë që e kanë adhuruar talentin e tij. Fadil Vokrri vetëm pak ditë më parë, mori shtetësinë shqiptare me firmë të presidentit Meta, dhe me kërkesë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo u bë në shenjë shpërblimi dhe mirënjihje për kontributin që ai ka dhënë në futboll.
Çfarë shkruan Ilir Meta për Vokrrin
Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe ekipeve të njohura europiane të Partizanit të Beogradit, Fenerbahçe e madje edhe të përfaqësueses së ish-Jugosllavisë.
Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Pak ditë më parë pata kënaqesinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!
Stadiumi i Prishtinës do mbajë emrin “Fadil Vokrri”
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se stadiumi i Prishtinës do ta mbajë emrin e Fadil Vokrrit, kreut të FFK-së që ndërroi jetë sot në moshën 57 vjeçare.
“Stadiumi i qytetit me nder do ta mbajë emrin e tij, Fadil Vokrri!”, konfirmon i pari i kryeqytetit të Kosovës.
Zot, përsëri more më të mirin për vete!
Nga Erjon Braçe –
Zot, përsëri more me te mirin për vete! Është e padrejte kështu!
Kur “kanoçet” kapnin “Jugosllavin” ketyre aneve, shekullin e shkuar, FADIL VOKRRI hynte ne shtëpi si shqiptari cudibërës në një bote tjetër;
Luante, mbiemri i tij njesohej me golin, herë fitues e here jo, gjithnjë në “futbollin e huaj”, derisa mbërriti në Vlorë!
Ajo në Vlore ishte dita ndryshe, e një shqiptari që luante për “armikun”, që nuk duhet të fitonte e që duhet të ishte i kënaqur me këtë.
Ashtu ndodhi ne Vlore e ne Beograd! Pastaj asgjë, zero edhe pse ai shkoi te futbolli edhe me i madh i Fenerbahce.
Asgjë, deri ditën e lirisë, kur ai dhe jo vetëm, vendosi të rigjejë e rilinde futbollin ne Kosoven e re.
Per Kosoven, por edhe per Shqiperine! Shqiperia e Evropës ishte edhe veper e tij!
Por kryevepra mbetet Kosova, ku me mund, pasion, perkushtim, pa u dorezuar po nderton futbollin e ri, te drejte, te ndershem, konkurrues, bazuar tek pasioni e talenti pa fund, disiplina e serioziteti, per te dhuruar garën e bukur e argetuese.
Super modeli më te cilin “mundi” UEFA-n e FIFA-n!
Kampion shekullin e shkuar! Kampion ne shekullin e ri!
Mbi te gjitha; MODESTIA GOLI ME I BUKUR PREJ TIJ KETE SHEKULL!
Kujtim rinie ishe Kampion, aty do jesh, për çdo shqiptar!
Biografia e legjendës FADIL VOKRRI
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit.
Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Miroslav Blazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante dhe për Dinamo e Zagrebit.
Po në këtë periudhë (1984-1987) Vokrri isha anëtar i përfaqësues se Jugosllavisë për të cilin pati 12 paraqitje dhe 6 gola të shënuar. Nga këto ndeshje kujtohet ai 14.10.1987, në stadiumin “Grbavica” të Sarajevës të cilën “të kaltërtit” e kishin fituar 3:0 përballë Irlandës Veriore , në të cilen Fadil Vokrri shënoi dy super gola (12′ e 34′) dhe ka qenë futbollisti i ndeshjes.
Ndërsa në vitin 1990 deri 1992 Vokrri shijoj kampionatin turk duke qenë anëtar i Fenerbahçe (53 ndeshje 19 gola).
Nga kjo kohe Vokrri kujton: “Të luash në kampionatin turk dhe ate në skuadër nga Stambolli do të thotë të përjetosh emocione të zjarrta të njerëzve që merren me futbollin si dhe tifozëve. Futbolli në Turqi në atë kohë për turqit ka qenë i rëndësishëm po thuajse sikur feja. Më kujtohen dy ndeshjet e Fenerbahçes kundër Gimaresh në kuadër të Kupës UEFA nga të cilat ne dolëm fitues, ndërsa unë kam shënuar gol në dy ndeshjet”.
Katër vitet e fundit të karrierës së tij aktive si futbollist, Fadil Vokrri përsëri i kaloj në Francë duke luajtur për Bourges (1992/93) dhe Montlucon (1993/95) ku edhe e ka përfunduar karrierën aktive si futbollist.
Fadil Vokrri i takon të ashtuquajturës “Gjenerata e Artë e Prishtinës” dhe nga po kjo gjeneratë si dhe nga shumë e shumë njohës dhe dashamirë të sportit në përgjithësi, e të futbollit në veçanti, Fadil Vokrri konsiderohet “legjendë e gjallë” e futbollit kosovar dhe futbollist që i kalon përmasat e një sulmuesi te zakonshëm.