Udinese ngulmon për mbrojtësin e Kombëtares së Shqipërisë
Udinese po mendon të përforcojë repartin e mbrojtjes dhe në listën e klubit italian ka përfunduar edhe Ardian Ismajli. Lajmi është bërë publik nga gazetari i njohur i merkatos, Gianluca Di Marzio, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Di Marzios, Udinese po shqyrton mundësinë e transferimit të mbrojtësit shqiptar, i cili aktualisht është pjesë e Torinos. Ismajli zhvilloi një sezon të rregullt me skuadrën granata, duke regjistruar 27 paraqitje dhe një asistim në të gjitha kompeticionet.
Tashmë, Udinese po vlerëson profilin e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare si një alternativë për të forcuar prapavijën. Ende nuk ka detaje të bëra publike për një ofertë konkrete apo për shumën e mundshme të transferimit, por interesimi i klubit friulian është tashmë i konfirmuar nga një prej burimeve më të njohura të merkatos në Itali.
Për Ismajlin, një transferim te Udinese do të përfaqësonte një tjetër etapë në karrierën e tij në Serie A, kampionat ku mbrojtësi shqiptar ka fituar tashmë eksperiencë të rëndësishme.
KOHA JONË SONDAZH

