UEFA gjobit Real Madridin për tifozin që përshëndeti në mënyrë fashiste
UEFA ka njoftuar se ka gjobitur klubin spanjoll Real Madrid për shkak të sjelljes raciste të një tifozi gjatë ndeshjes së kthimit të “playoff”-it në UEFA Champions League kundër Benficës, e zhvilluar javën e kaluar.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s, klubi madrilen është dënuar me një gjobë prej 15 mijë eurosh “për sjellje raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve të tij”, thuhet në deklaratën zyrtare të institucionit europian të futbollit.
Përveç gjobës financiare, UEFA ka vendosur edhe një masë shtesë: mbylljen e pjesshme të rreth 500 vendeve në stadiumin Santiago Bernabeu. Megjithatë, ky vendim është pezulluar për një periudhë njëvjeçare dhe do të zbatohet vetëm nëse përsëriten incidente të ngjashme.
Ndërkohë, Real Madridi njoftoi menjëherë pas ndeshjes se kishte identifikuar dhe përjashtuar nga stadiumi tifozin që u filmua duke bërë përshëndetjen naziste në tribunë, duke e ndaluar gjithashtu nga pjesëmarrja në ndeshjet e ardhshme.
Ndeshja ndaj Benfikës u shoqërua edhe me një tjetër incident në fushë. Sulmuesi brazilian Vinícius Júnior akuzoi talentin argjentinas të Benfikës, Gianluca Prestianni, se e kishte fyer duke e quajtur “majmun”. Prestianni i ka mohuar këto akuza, ndërsa UEFA e ka pezulluar përkohësisht lojtarin në pritje të përfundimit të hetimeve.
KOHA JONË SONDAZH

