UEFA hap procedim disiplinor ndaj Guendouzit dhe Greenwood pas ndeshjes Fenerbahçe-Lyon

UEFA ka nisur një procedim disiplinor ndaj Matteo Guendouzit dhe Mason Greenwood, pas përballjes mes Fenerbahçes dhe Olympique Lyonit në Champions League.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi turk, i cili përmes një komunikate zyrtare konfirmoi se procedura nuk lidhet vetëm me dy futbollistët, por edhe me Fenerbahçen.
Në qendër të vëmendjes është Matteo Guendouzi, i cili gjatë sfidës pati një përplasje me tifozët e Lyonit dhe bëri një gjest të papërshtatshëm në drejtim të tyre. Mesfushori francez u shpreh pas ndeshjes se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe shpjegoi se ishte provokuar nga tifozët.
“Më kanë fyer nënën, familjen dhe fëmijët e mi”, kishte deklaruar Guendouzi, duke argumentuar reagimin e tij. Francezi ishte provokuar nga tifozët e Lyonit që gjatë nxehjes para ndeshjes.
Në fund të takimit, edhe Mason Greenwood iu bashkua Guendouzit në përplasjen me tifozët. Fenerbahçe triumfoi 2-1, rezultat që i dha skuadrës turke kualifikimin dhe solli eliminimin e Lyonit nga kompeticioni.
Klubi nga Stambolli ka bërë të qartë se do të mbrojë lojtarët e tij përpara autoriteteve të UEFA-s.
“Klubi ynë do të paraqesë provat përkatëse pranë autoriteteve kompetente për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e lojtarëve tanë dhe të Fenerbahçes”, thuhet në komunikatën e klubit.
Tashmë pritet vendimi i organeve disiplinore të UEFA-s për masat që mund të merren ndaj Guendouzit, Greenwoodit dhe vetë Fenerbahçes.
KOHA JONË SONDAZH

