UEFA prezanton “Clear Line”, arkivi që synon të sjellë më shumë qartësi në vendimet e arbitrave dhe VAR-it
UEFA ka bërë të disponueshëm për publikun “Clear Line”, një arkiv i vendimeve arbitrale që synon të rrisë qartësinë, koherencën dhe transparencën në mënyrën se si merren vendimet në futbollin evropian.
Sipas UEFA-s, drejtuesit e arbitrimit nga të gjitha federatat anëtare e kanë miratuar “Clear Line” si një kuadër reference për zbatimin sa më të njëtrajtshëm të vendimeve të arbitrave dhe ndërhyrjeve të VAR-it, si në kompeticionet kombëtare, ashtu edhe në ato evropiane.
Platforma përfshin më shumë se 150 skenarë arbitrimi, duke ofruar shpjegime të detajuara mbi mënyrën se si duhet të interpretohen rregullat e lojës dhe në cilat raste VAR-i duhet ose nuk duhet të ndërhyjë.
Një nga parimet kryesore të “Clear Line” është se rishikimi me video duhet të përdoret vetëm në rastet e gabimeve të qarta dhe të dukshme. UEFA synon që këtë burim ta ketë në dispozicion një numër sa më i madh aktorësh të futbollit: nga arbitrat dhe lojtarët, te trajnerët, komentatorët dhe tifozët në të gjithë Evropën.
Përmes videove dhe shpjegimeve vizuale, platforma synon të bëjë më të kuptueshme arsyetimin pas vendimeve të arbitrave, veçanërisht në situatat më të komplikuara dhe më të debatuara të një ndeshjeje.
Drejtori i arbitrimit të UEFA-s, Roberto Rosetti, ka komentuar lançimin e platformës, duke theksuar rëndësinë e saj për unifikimin e vendimeve.
“Clear Line është krijuar për t’u ofruar udhëzime të qarta dhe të sakta arbitrave në të gjithë futbollin evropian. Kjo do të ndihmojë në garantimin e një koherence më të madhe në procesin e vendimmarrjes në të gjitha kompeticionet dhe në një qasje më të standardizuar ndaj përdorimit të VAR-it, në të mirë të lojës”, deklaroi Rosetti.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 4664

