UEFA sqaron FSHF-në, “E humbët ndeshjen në Serbi sepse refuzuat lojën, gjoba prej flamurit”
Sporti E Enjte, 6 Nëntor 2014 23:00
Kjo ndeshje, që u ndërpre më 14 tetor në Beograd, në 41’, prej trazirave dhe incidenteve të dhunshme, iu dha 3-0 në tavolinë Serbisë. Por pavarësisht kësaj, Serbisë iu hoqën tre pikë prej incidenteve, dhe UEFA i argumentoi palës serbe disa ditë më parë arsyet e vendimit. Të dyja federatat u dënuan me nga 100 mijë euro gjobë, por nëse për Serbinë shkak ishte dhuna, për Shqipërinë shkak, sipas UEFA-s, ka qenë “droni me flamur”. Raporti me 12 faqe i Komisionit të Disiplinës pranë UEFA-s, që i është dërguar së fundmi FSHF-së, sqaron se Shqipëria e ka humbur ndeshjen në tavolinë sepse “refuzoi të vazhdojë lojën”. Rregullorja në fakt e parashikon një gjë të tillë, por UEFA, siç pritej nuk ka marrë parasysh shkaqet, pra racizmin dhe dhunën që u ushtrua edhe nga tifozët në fushë. Por, megjithatë, shkruhet se “shqiptarët kanë deklaruar më parë se janë të pamundur për të vazhduar ndeshjen”, ndërsa, sipas FSHF-së, ky argument nuk ka lidhje me provat e paraqitura nga pala shqiptare. Në raportin e saj Komisioni i Disiplinës, sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj sigurisë në stadium. Disiplina e ka argumentuar gjobën prej 100 mijë euro për shkak të dronit me banerin që trazoi situatën, pasi UEFA vlerëson se deri në atë moment gjithçka, ishte normale. FSHF do të apelojë këtë vendim, brenda tre ditësh, dhe nëse Komisioni i Apelit nuk ndryshon masën, FSHF është shprehur gati ta çojë këtë çështje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë.
KOHA JONË SONDAZH