Undav është heroi i Gjermanisë, përmbys i vetëm Bregun e Fildishtë
Gjermania ka marrë një fitore të rëndësishme, por jo pa vuajtje, ndaj Bregut të Fildishtë me rezultatin 2-1 në ndeshjen e dytë të Grupit E të Kupës së Botës 2026, duke siguruar njëkohësisht edhe kualifikimin për në fazën e ardhshme të turneut.
Skuadra e Julian Nagelsmann e nisi takimin me kontrollin e topit dhe përpjekje për të imponuar ritmin e lojës, por u përball me një kundërshtar të organizuar dhe fizikisht shumë të fortë. Afrikanët u treguan të rrezikshëm në kundërsulme dhe arritën të godasin të parët.
Në minutën e 30-të, Frank Kessié përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke kaluar Bregun e Fildishtë në avantazh 0-1 dhe duke befasuar gjermanët. Pas golit të pësuar, Gjermania u hodh në sulm në kërkim të barazimit, por hasi vështirësi përballë mbrojtjes së dendur të kundërshtarit, i cili u përqendrua në ruajtjen e rezultatit.
Edhe në fillimin e pjesës së dytë, Bregu i Fildishtë u shfaq i rrezikshëm dhe pati mundësi të mira për të dyfishuar epërsinë, por mungesa e saktësisë para portës rezultoi vendimtare. Kur nuk arrin të mbyllësh ndeshjen ndaj një skuadre si Gjermania, rrezikon të ndëshkohesh. Kjo ndodhi në minutën e 68-të, kur Deniz Undav, i aktivizuar nga stoli, realizoi golin e barazimit dhe riktheu shpresat për “Pancerat”.
Sulmuesi gjerman u shndërrua në heroin e mbrëmjes edhe në minutat e fundit, kur me një goditje të saktë brenda zonës mposhti portierin kundërshtar për herë të dytë, duke kompletuar përmbysjen dhe duke i dhënë Gjermanisë tri pikë të arta.
Me këtë fitore 2-1, Gjermania ngjitet në krye të Grupit E dhe siguron matematikisht kualifikimin për në fazën me eliminim direkt, ndërsa Bregu i Fildishtë mbetet në garë për një vend në raundin tjetër, me gjithçka që do të vendoset në ndeshjen e fundit të grupit.
KOHA JONË SONDAZH

