
Manchester United ka nisur të hartojë planet për merkaton e janarit, me drejtuesit e klubit që synojnë të përforcojnë tre reparte të rëndësishme të skuadrës: mbrojtjen qendrore, krahun e majtë të mbrojtjes dhe sulmin.
Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, trajneri Maurício Pochettino ka identifikuar disa objektiva për të rritur konkurrencën dhe cilësinë e ekipit në pjesën e dytë të sezonit.
Në repartin defensiv, në listën e dëshirave të “Djajve të Kuq” janë Calvin Bassey i Fulhamit, Jarrad Branthëaite i Evertonit dhe Nathan Collins i Brentfordit. Manchester United po shqyrton mundësinë e transferimit përfundimtar të njërit prej këtyre tre mbrojtësve, për të shtuar sigurinë në qendër të prapavijës.
Ndërkohë, në sulm, drejtuesit kanë piketuar dy emra: Folarin Balogun, aktualisht pjesë e Monacos, dhe Ivan Toney, që aktivizohet te Al-Ahli. Synimi është të krijohet më shumë konkurrencë për Benjamin Šeškon, ndërsa ardhja e një sulmuesi të ri mund të hapë rrugën për largimin e Joshua Zirkzee.
Një tjetër repart ku Manchester United kërkon përforcime është krahu i majtë i mbrojtjes. Në fokus janë Alejandro Balde i Barcelonës dhe Rayan Aït-Nouri i Manchester Cityt. Sipas raportimit, klubi anglez ka zhvilluar kontakte me të dyja palët dhe po shqyrton mundësinë e sigurimit të njërit prej tyre në formë huazimi.
Megjithatë, planet e merkatos mund të ndryshojnë në varësi të largimeve që mund të ndodhin gjatë janarit. Nëse ndonjë prej futbollistëve aktualë largohet, Manchester United mund të rishikojë prioritetet, duke përfshirë edhe përforcimin e krahut të djathtë të mbrojtjes ose afrimin e një tjetër qendërmbrojtësi.
