Uzuni “çmendet” në Amerikë, tripletë spektakolare për 34 minuta ndaj Pueblas
Myrto Uzuni ka dhuruar spektakël në Kupën e Ligës, duke udhëhequr Austin drejt një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Pueblas.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist absolut në stadiumin “Q2” të Austin, teksa realizoi të tre golat e takimit dhe regjistroi tripletën e tij të parë në tokën amerikane. Në fund të sfidës, topi i ndeshjes u bë “suveniri” i merituar për beratasin, pas një paraqitjeje të jashtëzakonshme.
Uzuni e nisi ndeshjen me marshin e pestë dhe nuk vonoi të linte gjurmën e parë. Vetëm katër minuta pas startit, sulmuesi shqiptar fitoi duartrokitjet e stadiumit me një goditje dënimi nga rreth 20 metra. Topi kaloi mbi murin mbrojtës dhe përfundoi në rrjetë, duke lënë të palëvizur portierin Trujillo Rodríguez.
Vetëm tre minuta më vonë, Uzuni goditi sërish. Pas një aksioni të rrjedhshëm të vendasve, Ramires dhuroi një pasim me thembër dhe sulmuesi shqiptar, që kishte ndjekur me zgjuarsi aksionin, u shfaq në vendin e duhur për të dyfishuar avantazhin e Austin.
Në minutën e 34-t, Uzuni kompletoi tripletën me një gol të jashtëzakonshëm. Pas një goditjeje nga këndi të Torres, topi shkoi në kufijtë e zonës, aty ku beratasi lëshoi një goditje fluturimthi të fuqishme, duke e dërguar sferën në rrjetë dhe duke vulosur një nga paraqitjet më të bukura të karrierës së tij.
Tre gola në vetëm 34 minuta dhe një ndeshje e paharrueshme për Myrto Uzunin, i cili luajti të gjithë takimin dhe konfirmoi edhe një herë rolin e tij si një prej liderëve të Austin.

KOHA JONË SONDAZH

