Valencia, “kampione” për shpenzime në merkaton e verës
Mund të tingëllojë si e pabesueshme por është Valencia e manjatit nga Singapori Peter Lim skuadra që mbretëron deri në këtë moment të merkatos së verës. Klube të mëdha dhe shumë të fuqishme financiarisht si Reali i Madridit, Barcelona, Manchester United, Chelsea, Manchester City dhe Paris Saint Germain janë lënë në hije nga Los Che përsa i përket shpenzimeve në merkato. Drejtuesit e Valencias deri tani kanë nxjerrë nga arka e klubit shumën e 102 milionë Eurove edhe pse shumica e këtyre parave janë përdorur për të blerë në mënyrë përfundimtare disa lojtarë që sezonin e fundit ishin pjesë e skuadrës nga Mestalla në formë huazimi. Valencia ka shpenzuar 60 milionë Euro për të blerë nga Benfica, Rodrigo Morenon, Andre Gomes-in dhe Joao Cancelon, ndërkohë 30 milionë Euro të tjera kanë përfunduar në arkat e Manchester City-it për Alvaro Negredon, pa harruar këtu edhe 2 milionë Eurot e shpenzuara për Yoel Rodriguezin.
I vetmi lojtar që nuk ka luajtur më parë për Los Che dhe do të jetë pjesë e Valencias sezonin e ardhshëm është talenti Santi Mina të cilin klubi e Mestalla e bleu për 10 milionë Euro nga Celta Vigo. Në total Valencia deri tani ka nxjerrë nga llogaria e saj 102 milionë Euro duke lënë pas Juventusin dhe Liverpoolin respektivisht me 67 dhe 63 milionë Euro të shpenzuara. Blerja më e shtrenjtë deri tani në merkato është ajo e Roberto Firminos i cili la Hoffenheimin për tu bërë pjesë pjesë e Liverpoolit që bleu brazilianin nga klubi gjerman për 41 milionë Euro. Gjithsesi me heqjen e kufizimeve në lidhje me fair-play-in financiar nga gjykata e apelit për Manchester City-in dhe Paris Saint Germainin vështirë se Valencia, Juventusi dhe Liverpooli do të mbretërojnë edhe shumë sepse anglezët dhe francezët janë gati të shpenzojnë qindra miliona Euro në merkaton e kësaj vere.
KOHA JONË SONDAZH

