Valverde reagon për sherrin me Tchouameni: Nuk jemi goditur asnjëherë!
Një tjetër episod tensioni ka tronditur ambientin te Real Madrid, në një sezon zhgënjyes për madrilenët pas eliminimit nga UEFA Champions League dhe me titullin në La Liga që duket shumë pranë Barcelonës.
Sipas mediave spanjolle, një debat i ashpër në dhomat e zhveshjes mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni ka kaluar kufijtë e një përplasjeje normale mes shokësh skuadre, duke reflektuar tensionin e madh brenda grupit të drejtuar nga Alvaro Arbeloa.
Klubi madrilen publikoi fillimisht një komunikatë ku konfirmonte hapjen e një procedure disiplinore të brendshme ndaj dy lojtarëve, ndërsa më pas njoftoi edhe gjendjen shëndetësore të Valverdes, i cili do të qëndrojë 10 deri në 14 ditë pushim.
Vetë mesfushori uruguaian reagoi përmes një postimi në Instagram, duke sqaruar ngjarjen: “Dje pata një incident me një shok skuadre gjatë stërvitjes. Lodhja nga ndeshjet dhe frustrimi bënë që gjithçka të dukej më e rëndë seç ishte në të vërtetë. Në një dhomë zhveshjeje normale, këto gjëra ndodhin dhe zakonisht zgjidhen brenda ekipit.”
Valverde akuzoi gjithashtu persona pranë klubit për rrjedhje informacioni: “Dikush po përhap thashetheme dhe, në një sezon pa trofe ku Real Madridi është gjithmonë në qendër të vëmendjes, gjithçka po ekzagjerohet.”
Mesfushori zbuloi se tensioni vazhdoi edhe të enjten: “Sot patëm një tjetër mosmarrëveshje. Gjatë debatit godita aksidentalisht një tavolinë, duke pësuar një prerje të vogël në ballë që kërkoi kontroll në spital. Në asnjë moment shoku im i skuadrës nuk më goditi dhe as unë atë.”
Valverde pranoi se zemërimi dhe zhgënjimi për sezonin e dobët ndikuan në situatë, ndërsa shtoi se ndihet i lënduar nga e gjithë ngjarja. “Real Madridi është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të qëndroj indiferent.”
Në fund, ai theksoi se do të pranojë çdo vendim të klubit dhe se mbetet në dispozicion të skuadrës. Ndërkohë, Real Madrid konfirmoi në një deklaratë zyrtare se Valverde ka pësuar një traumë në kokë dhe, sipas protokolleve mjekësore, duhet të pushojë për 10-14 ditë.

KOHA JONË SONDAZH

