Van Dijk i shpall “luftë” Arsenalit: Një betejë që do e përballojmë me entuziazëm!
Liverpooli po përgatitet për një nga përballjet më të shumëpritura të sezonit. Mbrëmjen e së nesërmes, “The Reds” do të udhëtojnë drejt Londrës për t’u përballur me Arsenalin, kryesuesin aktual të Premier League, në një ndeshje që për skuadrën e Jurgen Kloppit ka shijen e shansit të fundit për të mbajtur gjallë shpresat për një rikuperim në garën për titull.
Kampionët në fuqi janë të vetëdijshëm për vështirësinë e transfertës në “Emirates”, por mbërrijnë me moral të shtuar nga precedenti i favorshëm: në ndeshjen e fazës së parë, në “Anfield”, ishte Liverpooli që doli fitues ndaj skuadrës së Mikel Artetës.
Van Dijk ka ftuar skuadrën të ruajë qetësinë dhe kthjelltësinë: fillimisht rikuperimi fizik, më pas analiza e Arsenalit, një skuadër që këtë sezon nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi në të gjitha kompeticionet.
“Arsenali ka një ekip fantastik, me shumë cilësi si te formacioni bazë ashtu edhe nga pankina. Të gjithë e dimë që në shtëpi janë të pamposhtur këtë sezon, mendoj në të gjitha garat. Do të jetë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë dhe duhet të jemi gati për një betejë të vërtetë”, ka deklaruar mbrojtësi holandez.
Kapiteni i Liverpoolit ka theksuar edhe aspektin motivues të përballjeve të tilla: “Mezi pres të luaj këtë ndeshje dhe mendoj se të gjithë duhet t’i përballojnë sfida të tilla me entuziazëm. Është e vetmja mënyrë për të provuar të marrësh një rezultat. Është një tjetër mundësi e madhe”.
KOHA JONË SONDAZH

