Veliaj pret kampionin dhe nënkampionin e Europës në mundje: Do të mbështesim skuadrën tonë olimpike

Bashkia e Tiranës do të marrë disa vendime për të mbështetur me anë të granteve skuadrën tonë olimpike, në prag të lojërave që do të mbahen në Paris gjatë këtij viti. Kështu deklaroi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në takim me përfaqësues të skuadrës sonë olimpike, ku ishin të pranishëm Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët disa ditë më parë sollën në Shqipëri titujt e kampionit dhe nënkampionit të Europës në mundje.

Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të prisja skuadrën tonë të mundjes, Zelimkhanin dhe Islamin, në një Tiranë dhe Shqipëri që ka nevojë për modele pozitive si ata. Ne si bashki do të marrim disa vendime: së pari, do të japim një grant, nëpërmjet klubeve tona, edhe për Komitetin Olimpik Shqiptar. Puna që po bën Fideli dhe e gjithë skuadra, që po përgatitet për të shkuar në Paris, nderon Shqipërinë. Këtë herë kemi shumë shanse. Sigurisht, Tokyo ishte një përvojë e jashtëzakonshme, por tani e kemi ngritur nivelin, kam shumë besim që do të bëjmë një performancë edhe më dinjitoze në Paris”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Tirana do të vazhdojë të ruajë mbështetjen për sportin dhe sjelljen sportive me të njëjtin standard si gjatë vitit që lamë pas, kur mbajti titullin “Qyteti Europian i Sportit”. Veliaj nënvizoi se kryeqyteti do të mirëpresë edhe Kongresin Botëror të Mundjes, si dhe dy kampionatet U23 dhe për të rritur.

SHKARKO APP