Vëllezërit Xhaka në “Francë 2016”: Përballja më e bukur
Kanë mbetur edhe 50 ditë nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Zvicrës, që do të jetë e para për të dyja skuadrat në Grupin A. Nëse kuqezinjtë janë debutues në këtë kompeticion, zvicerianët shihen si favoritë pas Francës për të kaluar fazën e grupeve.
Mirëpo, nëse dikush është duke menduar të gjejë një ndeshje më shumë emocionuese sesa kjo, po lodhet kot. Bëhet fjalë për një përballje mes dy Kombëtareve, por më shumë edhe mes dy vëllezërve. Graniti dhe Taulanti do të jenë kundërshtarë për 90 minuta në një ndeshje të vlefshme për finalet e Europianit.
Në një rrëfim për mediat zviceriane, vëllai i vogël i këtij dueli, edhe pse më i famshmi, ka rrëfyer emocionet për këtë takim si dhe ka bërë me dije edhe një zgjidhje se si do ta përballojnë të gjithë presionin.
“Mënyra më e mirë për këtë përballje do të jetë që të dy ne të dalim nga fusha pas minutës së dytë”, është përgjigjur me batutë dhe të qeshura Granit Xhaka gjatë intervistës së tij dhënë për “aargauerzeitung.ch”, raporton Panorama Sport.
Mesfushori i kombëtares helvete ka vijuar më tej me seriozitet.
“Unë dhe Taulanti jemi profesionistë dhe do të dimë si të përballojmë emocionet në këtë ndeshje. Megjithatë, më duhet të them se pa diskutim që për secilin prej nesh kjo do të jetë fitorja më e bukur”, ka vijuar Xhaka.
Mesfushori i Mynshengladbahut, si në çdo intervistë të tijën, nuk e fsheh marrëdhënien që ka më të vëllanë.
“Ai është frymëzim për mua. Me Taulantin flasim çdo ditë dhe jemi gjithmonë pranë njëritjetrit kur secili ka nevojë. Ai është shoku im i ngushtë”, ka deklaruar gjithashtu Xhaka.
KOHA JONË SONDAZH

