Vetëm 9 ditë nga nisja e Kupës së Botës, ja fitoret më të thella në historinë e turneut
Ndërsa kanë mbetur vetëm nëntë ditë nga starti i Kupës së Botës, ngjarjes më të madhe të futbollit ku kombëtaret më të forta të planetit garojnë për lavdinë supreme, rikthehen në vëmendje disa prej rezultateve më të bujshme që kanë shënuar historinë e këtij kompeticioni.
Fitoret me diferencën më të madhe të golave në Kupën e Botës kanë mbetur të paharrueshme, duke u renditur ndër rekordet më të veçanta të turneut.
Historia nisi në edicionin e vitit 1954, kur kombëtarja e Hungarisë zhvilloi një paraqitje spektakolare ndaj Koresë së Jugut në Cyrih. Hungarezët triumfuan me rezultatin e thellë 9-0, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Péter Palotás dhe Ferenc Puskás, të cilët realizuan nga dy gola secili, ndërsa Sándor Kocsis kompletoi një “hat-trick”.
Një rezultat identik u regjistrua edhe 20 vite më vonë. Në Kupën e Botës 1974, ish-Jugosllavia shkatërroi Zairen me shifrat 9-0 në Gelsenkirchen. Skuadra ballkanike dominoi plotësisht takimin, me kontribute të rëndësishme nga disa prej yjeve të saj, mes tyre Dragan Džajić dhe Dušan Bajević.
Hungaria u rikthye sërish në librat e historisë në edicionin e vitit 1982. Në qytetin spanjoll të Elçes, hungarezët mposhtën El Salvadorin me rezultatin e jashtëzakonshëm 10-1, duke regjistruar një nga fitoret më të thella të Kupës së Botës. Njeriu i ndeshjes ishte László Kiss, i cili realizoi një “hat-trick” pasi u aktivizua nga stoli, duke hyrë në histori si një nga zëvendësuesit më vendimtarë që ka parë ndonjëherë turneu.
KOHA JONË SONDAZH

