VIDEO/ Inaugurohet stadiumi i ri i Vorës, presidenti Duka: Fryt i bashkëpunimit me FSHF
Vora tashmë ka një stadium modern dhe bashkëkohor, i ndërtuar falë një bashkëpunimi mjaft të mirë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë së Vorës. Një impiant që ofron kushte moderne e që është bërë realitet në një kohë mjaft të shpejtë, falë një investimi madhor, që pritet t’i japë një nxitje zhvillimit të futbollit në këtë qytet.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në fjalën e mbajtur gjatë këtij eventi shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm që e ka futur tashmë Vorën në hartën e futbollit kualitativ. Kreu i qeverisë së futbollit vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Vorës dhe donatorët e klubit në këtë rast, teksa theksoi se kur bëhemi të gjithë bashkë mund të bëhen gjëra të mëdha.
“Për Vorën ne kemi një projekt të afërt për ndërtimin e një fushe stërvitore, por për të mos e përfunduar këtu e për të vazhduar më tej. Në fund të fundit për të bërë detyrat tona, për t’i shërbyer fëmijëve tanë, që t’i bashkohen sa më shumë lojës së futbollit, ta shpenzojnë kohën e tyre në mënyrë të shëndetshme me sport dhe jo me vese të tjera negative që u kushtojnë shumë familjeve. FSHF tashmë është bërë partnere me çdo familje shqiptare nëpërmjet projekteve ‘Topi Yt’ apo projektit të fundit ‘Uniforma Ime’. Falënderoj kryetarin e Bashkisë, donatorët, drejtuesit e klubit për këtë impiant dhe për projektin Vora e të ardhmes në futboll. Shumë suksese të gjithëve!”,-theksoi presidenti i FSHF-së.