VIDEO-LAJM/ Rrahmani transferohet te Napoli, dikur “injorohej” nga De Biasi

Ahmir Rrahmani mund të cilësohet si futbollisti më i ri i skuadrës së Napolit. Kapiteni i kombëtares së Kosovës mëngjesin e kësaj të premte ka udhëtuar së bashku me agjentin e tij, Ardian Aliaj për të formalizuar transferimin te skuadra e njohur.

Paraqitjet e shkëlqyera me fanellën e Veronës në këtë sezon bënë Napoli të përgatiste një çek me vlerë 14 milionë euro për kartonin e tij. Rrahmani do të firmosë me të kaltrit një kontratë 5-vjeçare , nga e cila do të përfitojë 1,8 milionë euro në sezon, 200 mijë euro më shumë sesa përfiton aktualisht Elseid Hysaj. Ai do të qëndrojë deri në fund të sezonit të Verona duke luajtur në formë huazimi te skuadra që drejtohet nga Ivan Juric.

Rrahmani nuk është një emër i panjohur në futbollin shqiptar, teksa ka qenë pjesë e Partizanit për dy vite, duke luajtur 66 ndeshje, ku gjeti edhe 3 herë rrugën e rrjetës. Më pas karriera e tij vijoi te Dinamos Zagreb, RNK Split dhe te Lokomotiva e Zagrebit. Verën e vitit të kaluar u transferua te Hellas Verona ku edhe tregoi menjëherë vlerat e tij që në pjesën e parë të sezonit në elitën e futbollit italian.

Me Shqipërinë, Rrahmani fillimisht ka luajtur me skuadrën e Shpresave 9 ndeshje, ndërkohë që me Kombëtaren e madhe është aktivizuar vetëm në dy takime miqësore ndaj San Marinos dhe Kosovës. Pikërisht ndaj Dardanëve ai shënoi edhe golin e parë më 13 nëntor të vitit 2015. De Biasi e la jashtë listës së Europianit të vitit 2016 në Francë, duke bërë që më pas futbollisti i lindur në Prishtinë te merrte vendimin për t’ju bashkuar Kosovës. 25-vjeçari ka një te ardhme të madhe, teksa do të stërvitet dhe do të luajë me futbollistë ekspertë se Koulibaly.

SHKARKO APP