VIDEO/ Lakers në “play off”, Antetokounmpo s’i bën dot ballë James-Davis
LeBron James fiton duelin e madh me Giannis Antetokounmpo në basketbollin amerikan. Los Angeles Lakers ia dolën të triumfonin ndaj Milwaukee Bucks.
Ishte vërtet një përballje gjigantësh. Dy skuadrat më të mira të NBA-së u ndeshen në “Staples Center” në Los Anxhelos dhe ylli vendas, Lebron Xhejms, e fitoi duelin ndaj yllit mik, Giannis Antetokounmpo. Sfida ishte si një duel i parakohshëm për titull dhe kalifornianët triumfuan me shifrat 113-103.
LeBron James shënoi 37 pikë, duke qenë më i miri i ndeshjes dhe duke iu afruar regjistrimit tw “trille double” me 8 topa në tabela, 8 asiste dhe 3 vjedhje topi. E gjitha kjo në 36 minuta. Antetokounmpo nuk ishte keq, edhe pse gaboi mjaft nga largësia. Kapiteni i Milwaukee shënoi 32 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 6 asiste dhe vodhi 1 top.
Me gjasë, Lakers triumfuan sepse James pati në krah Anthony Davis, që shënoi 30 pikë e kapi 9 topa në tabela. Shumë basketbollistë të tjerë luajtën mirë për të dyja skuadrat dhe ndeshja ishte e ekuilibruar deri në fund.
Lakers ishin në epërsi vetëm tri pikë pas periudhës së parë, gjysma e ndeshjes u mbyll në baraspeshë dhe në periudhën e katër kryesoi Milwaukee me 4 pikë. Në 12 minutat e fundit, Lakers përmbysën shifrat, duke fituar 113-103.
Me këtë sukses, kalifornianët siguruan kualifikimin në “play off”, duke mbajtur kreun e Konferencës Perëndimore, ndërsa Milwaukee udhëheq në Lindje dhe është skuadra me bilancin më të mirë në NBA në sezonin e rregullt. /abcnews.al