VIDEO/ Milan “shkelmon” krizën, “Djalli” sheh sërish ëndrra me Champions
Kriza duket se ka kaluar për Milanin që gjen vazhdimësinë me fitoren e dytë radhazi në kampionatin italian. Skuadra kuqezi mundi në transfertë 3-2 Bologna, duke ndezur sërish shpresat në atë që mbetet një mision shumë i vështirë për një vend në Champions sezonin e ardhshëm.
Krzysztof Piatek u kthye vendimtar, teksa polaku shënoi golin e epërsisë nga pika e 11-metërshit që fitoi po vet. Më pas, Suso shpiku një asist për Theo Hernandez që dyfishoi shirfat në minutën e 32-të. Mbrojtësi francez ishte pafat në fundin e pjesës së parë, kur me autogolin e tij ktheu në lojë të zotët e shtëpisë. Pas pushimit, Bonaventura shënoi shpejt golin e tretë për Milanin. Bologna ngushoti sërish diferencën me 11-metërshin e Sansone vetëm katër minuta nga fundi, por nuk arriti të prishë festën e skuadrës kuqezi, që afrohet më shumë me zonën europiane.
Pas javës së 15-të, Serie A sheh Interin kryesues. Barazimi pa gola kundër Romës ka bërë që zikaltërit të shkëputen me dy pikë nga Juventus, që të shtunën regjistroi humbjen e parë sezonale, duke u dorëzuar 3-1 në fushën e Lazio.
Fitore të rëndësishme siguroi Atalanta, ndërsa Napoli vazhdon krizën e rezultateve pas barazimit 1-1 në transfertën e Udinezes.