VIDEO/ Ministri Balla takon tifozin e veçantë të Kombëtares: Ndeshja le të jetë një festë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka takuar sot një prej tifozëve më të veçantë dhe të njohur tashmë të ekipit kombëtar të Shqipërisë, Besmir Limanin. Ai tha se të gjithë sportdashësit e tifozët duhet ta mbështesin ekipin, dhe të mos bëhen shkas për dënime të fushës në Tiranë.
”Duhet ta mbështesim ekipin kombëtar, dhe meqë ti je ndër tifozët më të zjarrtë e më prezentë, besoj që duhet t’u bëjmë një thirrje tifozëve që të sillen realisht si “lojtar i 12”. Nuk duhet të bëjnë asnjë dëm, qoftë hedhje të flakadanëve dhe gjithçka tjetër në fushë, sepse na dëmton për ndeshjen e fundit në grup me Ishujt Faroe. Pra duhet që kësaj radhe, gjithçka të shkojë fjollë”,-tha Balla.
Në rrjetet sociale, ministri Balla u shpreh se ndeshja e sotme duhet të jetë një festë për të gjithë. “kënaqësi të mirëpres sot tifozin-shqiponjë Besmir Limani, i cili e ka shoqëruar kombëtaren tonë kuqezi kudo. Besmiri i cili jeton prej shumë vitesh në Zvicër, depozitoi edhe kërkesën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare”.
Balla uroi që ndeshja e sotme të jetë një festë për të gjithë, duke shënuar një hap më tej drejt kualifikimit për ekipin tonë kombëtar.

KOHA JONË SONDAZH

