Vlahovic mbetet sërish bardhezi, firmos me skuadrën e njohur turke
Dusan Vlahovic do të vazhdojë të jetë “bardhezi”, por jo më me fanellën e Juventusit. Sulmuesi serb ka pranuar ofertën e Besiktas, duke u bërë gati për një aventurë të re në kampionatin turk.
Klubi nga Stambolli ka bindur Vlahovicin me një kontratë trevjeçare, që i garanton rreth 10 milionë euro në sezon, ndërsa në marrëveshje përfshihen edhe 10 milionë euro bonus firme.
Sulmuesi serb pritet të mbërrijë sot në Stamboll, ku do të kryejë procedurat e fundit përpara se të nisë zyrtarisht aventurën e tij në Super Lig.
Gjatë muajve të fundit, Vlahovic ka qenë një nga emrat më të përfolur në merkato. Sulmuesi ishte lidhur me një numër të madh klubesh, por për një kohë të gjatë nuk pati asgjë konkrete.
Problemi nuk lidhej me aspektin sportiv. Cilësitë e Vlahovicit si qendërsulmues nuk janë vënë në diskutim, por kërkesat e larta financiare kanë qenë pengesa kryesore për një transferim.
E njëjta çështje ndikoi edhe në ndarjen e tij me Juventusin. Klubi torinez mund të kishte tentuar ta mbante serbin, por vetëm me një pagë dukshëm më të ulët se ajo që kishte përfituar më parë.
Tani Vlahovic është gati të nisë një kapitull të ri, duke kaluar nga një klub “bardhezi” te një tjetër. Në Turqi, sulmuesi serb do të ketë mundësinë të përballet sërish me Victor Osimhen, por këtë herë jo në një përballje Juventus-Napoli.
KOHA JONË SONDAZH

