Vlahovic zyrtarizohet te Besiktas, serbi fshin çdo gjë që ka lidhje me Juventusin
Dusan Vlahovic i ka dhënë fund përfundimisht aventurës së tij në Itali dhe është gati për një kapitull të ri në karrierë. Sulmuesi serb ka arritur marrëveshjen me Besiktas dhe ka mbërritur në Stamboll, ku është pritur nga një numër i madh tifozësh.
Vlahovic, i cili tashmë është lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Juventusin më 30 qershor, pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore dhe të finalizojë marrëveshjen me klubin turk. Ai do të firmosë një kontratë trevjeçare, ndërsa paga vjetore raportohet rreth 8 milionë euro, me bonuse që mund ta çojnë shumën deri në 10 milionë euro.
Por përtej transferimit, Vlahovic duket se dëshiron të mbyllë njëherë e mirë kapitullin e tij në Torino. Sulmuesi serb ka fshirë nga profilet e tij në rrjetet sociale gjurmët që lidhen me të kaluarën te Juventusi, duke dhënë një sinjal të qartë se tashmë e ka mendjen vetëm te aventura e re.
Në Stamboll, Vlahovic është pritur me entuziazëm nga tifozët e Besiktas. Klubi turk shpreson që sulmuesi 26-vjeçar të rikthehet në nivelin që tregoi gjatë periudhës së tij më të mirë në Serie A.
Në Besiktas, Vlahovic do të gjejë një fytyrë të njohur: trajnerin Vincenzo Italiano, me të cilin ka punuar edhe te Fiorentina. Pikërisht marrëdhënia me trajnerin italian ka qenë një prej faktorëve që e ka shtyrë sulmuesin drejt zgjedhjes së klubit turk.
Kështu, pas katër vitesh e gjysmë te Juventusi, ku regjistroi 168 ndeshje dhe 68 gola, Vlahovic hap një faqe të re në karrierë.
KOHA JONË SONDAZH

