Vllaznia në kuotën zero, tifozët protesta para bashkisë

Tifozët e Vllaznisë do të dalin në protestë para Bashkisë së Shkodrës, për keqmenaxhimin e klubit kuqeblu. Vllaznia rrezikon rënien në një kategori më poshtë, pasi në katër javët e para skuadra shkodrane ka zero pikë në klasifikim. Këtë fillim sezoni ekipi me traditë i futbollit shqiptar ku i ka humbur të 4 takimet e luajtura, dhe madje nuk njeh fitoren prej plot 12 ndeshjesh duke llogaritur këtu edhe takimet e fundit të sezonit të kaluar në Kategorinë Superiore. Një rënie e frikshme për skuadrën më të vjetër në vend, që me këtë ritme, rrezikon të bjerë për herë të parë në historinë e saj nga Kategoria. Administrimi i klubit nga Bashkia e qytetit ka rezultuar një dështim i vërtetë me Vllazninë e traditës që në këto vitet e fundit asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të konkurrojë për titullin, apo zonën e lartë të klasifikimit, çka ka bërë që durimi i tifozëve të soset. Grupimi i organizuar i tifozëve të Vllaznisë, “Vllaznit Ultras” kanë njoftuar në rrjetet sociale se të hënën e ardhshme do të zhvillojnë një protestë masive para Bashkisë Shkodër, duke fituar të bëhen pjesë e saj të gjithë fansat e skuadrës. Në njoftim tifozët shkodranë kanë publikuar edhe kërkesat e tyre në drejtim të Bashkisë ku kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të stafit drejtues të klubit për paaftësi, keqmenaxhim dhe përfitime personale në kurriz të ekipit të Vllaznisë. Tifozët shkodranë kërkojnë gjithashtu dhe zgjidhjen e situatës në të cilën ndodhet klubi, nëpërmjet afrimit të një sponsori apo marrjes së tij nga një President, pasi koha ka treguar se në 4 vite Bashkia dështoi për të menaxhuar siç duhet klubin e futbollit, si dhe vënien në dispozicion të autobuzave për ata tifozë që duan të ndjekin skuadrën në transferta. Tifozët e Vllaznisë i bëjnë thirrje Kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi që të ndërgjegjësohet për zgjidhjen e problemit të Vllaznisë, duke kërcënuar me përshkallëzim të protestave në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre. Voltana Ademi ka marrë drejtimin e bashkisë pak kohë më parë, dhe nga investitorë të ndryshëm përfshi edhe presidentin aktual të Kukësit, Safet Gjici ka pasur oferta për marrjen e Vllaznisë. Megjithatë, për kohën e shkurtër në detyrë dhe për kohën e gjatë që Vllaznia nuk po  tregon asgjë nga historia e saj e lavdishme, përgjegjësia duket se mbetet diku tjetër ndaj edhe tifozët thirrje kryebashkiakes Ademi që të ndërhyjë sa të mos jetë vonë.  

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?