Vllaznia pa president, Shkodra destinacioni i paralajmëruar i Safet Gjicit?
Shefi i klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi paralajmëroi dorëheqjen e presidentit Safet Gjici, nëse ndëshkimi i UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë të Europa League me Legian e Varshavë do të jetë ekstrem. Megjithatë, numri një i klubit verilindor nuk ka ndërmend të shkëputet nga futbolli. Ai ka paralajmëruar vetë më tej se do të kërkojë të ketë sukses nën drejtimin e një emri të madh të futbollit shqiptar. Por për cilën skuadër me emër bëhet fjalë? Dy klubet e kryeqytetit që garojnë në Kategorinë Superiore, Partizani dhe Tirana, janë shoqëri aksionare që drejtohen nga dy presidentë të konfirmuar dhe vështirë të mendohet se Gjici mund të afrohet tek njëra prej tyre, për të qenë ai numri një i klubit si deri tani te Kukësi. Aq më tepër kur dihet se Rafik Halili te Tirana, ekip për të cilin Kukësi ka shfaqur më herët interes, ashtu edhe Partizani që drejtohet me ambicie nga presidenti Gaz Demi, vështirë të tërhiqen për t’i hapur rrugë një presidenti tjetër. Para se Refik Halili të blinte shumicën e aksioneve të bardhebluve, Gjici e ka studiuar mundësinë e investimit në klubin kryeqytetas, por vetëm kaq. Por kjo mbeti një ide, e cila nuk u bë kurrë realitet. Një emër tjetër i madh sugjestionues i futbollit shqiptar, ku Gjici mund të gjejë terren për ambiciet e tij, është Vllaznia, klubi i futbollit të Shkodrës që ka mbetur në dorë të Bashkisë prej vitesh dhe me mundësi të kufizuara financiare për të rivalizuar me skuadrat më të mira të Kategorinë Superiore. Së shpejti Vllaznia do të ketë edhe një stadium modern prej gati 20 mijë tifozësh si asnjë ekip tjetër në Shqipëri. Kjo pasi “Loro Boriçi” brenda vitit do të jetë streha e re e kuqe zinjve. Emri i Gjicit është përfolur edhe më parë për të sponsorizuar Vllazninë, por gjithçka mbeti në kuadër të tratativave. Ndoshta, tashmë janë pjekur kushtet që Gjici t’i bëjë të ëndërrojnë tifozët kuqeblu, të cilët e kanë të qartë se me mundësitë aktuale Vllaznia mund të luftojë vetëm për mbijetesë. Safet Gjici pas dorëzimit të detyrës si Prefekt i Kukësit, dhe pas humbjes së zgjedhjeve në Kamëz ku kandidoi më 21 qershor për postin e kryebashkiakut, dhe me ngjarjet e fundit në “Qemal Stafa”, duket se i është hapur rruga për të lëvizur nga qyteti i tij i vendlindjes drejt Shkodrës, për të marrë Vllazninë i konsideruar gjerësisht si “djepi” i futbollit shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

