Volejboll Meshkuj, Farka Volej-Studenti, sot finalja e Kupës së Shqipërisë

Finalja e volejbollit të meshkujve, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë do të luhet sot pasdite në “Asllan Rusi”, ndërkohë që dy ekipet finaliste kërkojnë të shkruajnë historinë e volejbollit.

Ekipi Farka Volej siguron finalen e parë në histori të Kupës së Shqipërisë, ku do të gjejë përballë Studentin. Një fitore 3-2 me sete ndaj Tiranës, që pak kush e priste, por që në fakt erdhi pas lojës në grup të jashtëzakonshëm të skuadrës së Bardhit, që me një moshë mesatare prej 18 vjetësh arriti të mundë një klub me traditë si Tirana.  Loja e Kocit, Qepës e Metanit spikati që në fillim dhe kjo ndihmoi që ekipi i Farka Volej, të arrinte një shkëputje që në setin e parë. Tirana e ktheu rezultatin në 27-25. Freskia e skuadrës së Farkës u bë evidente në setin e dytë, të cilin djemtë e Bardhit e fituan 25-19, ndërsa dhe në setin e tretë dominuan duke triumfuar 25-22. Në setin e katërt Farka Volej u shkëput menjëherë me një 8-3, por eksperienca e Tiranës bëri që shifrat të ktheheshin me bardheblutë që fituan 25-23 në fund. Seti i fundit ishte shumë i luftuar. Me rezultatin 14-13, Tirana anuloi “match pointin” e parë, por Farka megjithatë nuk ra pre e emocioneve duke fituar në fund 16-14, për finalen e parë të Kupës së Shqipërisë në historinë e saj të shkurtër 6 vjeçare.

Studenti në krahun tjetër arriti të fitojë 3-1 ndaj Teutës. Përvoja e lojtarëve të ekipit të drejtuar nga Tomorri bëri diferencën, sidomos pas humbjes së setit të parë me rezultatin 25-23. Në setin e dytë eksperienca e Tukseferit, ndihmoi Studentin të fitonte lehtësisht 25-17, ndërkohë që në setin e tretë gjithçka ishte e ekuilibruar deri në rezultatin 15-15, përpara se Studenti të shkëputej për fitoren 25-21. Seti i fundit gjithashtu nisi më mirë për Teutën që u shkëput deri në 18-14, por pushimi i kërkuar nga trajneri Ylli Tomorri rezultoi vendimtar, pasi nga ky moment Studenti jo vetëm ktheu rezultatin duke fituar 25-21, por gjithashtu arriti të fitojë dhe krejt takimin 3-1 me sete dhe këtë të shtunë do të përballet me Farka Volej në finalen, që do të luhet në orën 18 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?