Volejbolli Meshkuj, sot Tirana ose Studenti do të ngrejë kupën
Sot në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” do të përcaktohet fituesi i kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj. Dy skuadrat finaliste Studenti dhe Tirana, kishte kohë që te volejbolli i meshkujve nuk ishte parë një rivalitet i tillë dhe kjo gjë ndoshta edhe për shkak të dominimit të ekipit të Studentit që nga vitet 2000. Me plot 12 tituj në 15 edicionet e fundit për këtë ekip ishte më në fund koha për të parë një finale të vërtetë, madje me gjithçka brenda, – duke filluar nga nervozizmi i takimit hapës, përmbysjet e vazhdueshme në rezultat, emocionet e shumta dhe pse jo edhe niveli i kënaqshëm që kanë ofruar të dyja skuadrat në këto finale. Kampionët në fuqi kanë meritën e padiskutueshme që mbajtën gjallë serinë përmbyllëse të sezonit, pavarësisht s’kualifikimit të lojtarit me më shumë eksperiencë dhe njëkohësisht kapitenit të skuadrës Elton Tukseferi. Skuadra e Ylli Tomorrit reagoi pozitivisht dhe tregoi karakter edhe pas disfatës në ndeshjen e parë, ndërkaq po e njëjta gjë duhet thënë edhe për takimin e katërt të serisë, ku bardheblutë ishin vetëm një ndeshje larg titullit.
Të martën në mbrëmje u mendua festa e titullit për ekipin e Tiranës, sidomos pas faktit që bardheblutë kishin favorin për të mbyllur gjithçka në shtëpinë e tyre në Sallën e Sporteve “Farie Hoti”. Gjithsesi edhe këto parashikime u përmbysën në parket, ç’ka bën që serisë finale t’i shtohet vetvetiu ca me tepër ankth dhe emocione. Këtë herë karakteri i fortë i trajnerit Ylli Tomorri dhe eksperienca e tij u transmetuan më së miri te organizatori Cali, që në bashkëpunim me dy volejbollistët bullgarë i dhanë mundësinë ekipit për të shkuar deri te ndeshja e pestë, ndërsa në krahun tjetër nuk mbetet aspak më poshtë as trajneri Arben Sako, i cili i ka dhënë shumë skuadrës nga shpirti i tij. Nëse bëhet fjalë për karakter bardheblutë e shfaqën qartë këtë në takimin hapës duke përmbysur dis-avantazhin e dy seteve brenda në “Asllan Rusi” dhe ku i anuluan edhe një “match ball” kampionëve në fuqi, sidoqoftë e njëjta histori u përsërit edhe një javë më vonë po në Pallatin e Sportit ku Tirana falë suksesit 3-1 shkoi vetëm një ndeshje larg titullit, një titull që i mungon këtij ekipi praktikisht prej dy dekadash.
Për të qenë të saktë janë plot 21 vjet, që nga viti i largët 1994, kohë kur pjesë e skuadrës ishte madje edhe vetë Arben Sako, megjithatë për t’iu rikthyer karakterit të bardhebluve Tirana ka arritur të fitojë si “tie break” e ndeshjes hapëse ashtu edhe setin e parë të ndeshjes së dytë, që u mbyll pas plot 56 pikësh dhe ku skuadra e Arben Sakos fitoi 29-27 pas më shumë se gjysmë ore lojë. Shumë do të varet si përherë nga forma e lojtarit të tyre më të mirë Klodian Ferhati, por gjithashtu edhe nga dyshja e zakonshme Medenica – Stepashkin, gjithsesi mbetet për t’u parë sesa do të influencojë këtë herë fakti që ndeshja e pestë do të luhet pikërisht në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, ku Tirana ka fituar dy sfidat e mëparshme. Si rrallëherë në një seri finale nuk ka influencuar aspak faktori fushë, sidoqoftë sa për statistika deri tani janë luajtur plot 17 sete dhe Studenti kryeson 9-8. Ndeshja Studenti – Tirana që do të përcaktojë pra përfundimisht edhe fatin e këtij edicioni të kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj do të fillojë në orën 18:00
KOHA JONË SONDAZH

