Volejbollisti shqiptar në Francë, Arion Çuni: Si i përjetova aktet terroriste!
Aktet terroriste në Francë tronditën botën , por nuk kursyen as jetë të pafajshmish njerëzish. Dëshmitar i panikut ka qenë edhe volejbollisti i mirënjohur shkodran, Arion Çuni. Prej kohësh volejbollisti jeton me bashkëshorten në Montpelie, pikërisht qytetin ku u regjistrua një pengmarrje, por pa rrezik. -“Për sa i përket situatës në Francë, njerëzit janë të shokuar, sepse ka rreth 50 vite që nuk ka pasur një atentat të tillë dhe për më tepër që zgjati rreth 3 ditë. Por ka disa muaj që “pritej” një gjë e tillë”, thotë Arion Çuni. Ai thotë se vazhdon edhe në Francë të luajë volejboll. – “Vazhdoj sportin e volejbollit. Para 3 vitesh e gjysmë erdha dhe u vendosa në jug të Francës (Montpelie) së bashku me të fejuarën time. Që nga gushti 2014 jemi bashkëshortë (qesh). Ajo është shkodrane dhe ka 18 vite që jeton në Francë, ndaj vendosëm të jetojmë këtu, sepse mundësitë për një jetë më të mirë janë më të mëdha. Që vitin e parë kur erdha, u bëra pjesë e ekipit “Croix D’Argent”, 1 nga 3 ekipet e qytetit që militojnë në “National 3″, ku kam luajtur për 3 vite duke bërë një paraqitje të kënaqshme. Me përjashtim të vitit të fundit, ku kam luajtur vetëm gjysmën e sezonit pas një problemi në shpatull. Në tetor të 2014-s m’u bë një ofertë nga ekipi i Arles, i cili militon edhe ky në “National 3″ dhe ramë dakord mbi kontratën. Këtu përfshihej pagesa dhe transporti, sepse klubi i përket një qyteti tjetër, që është 70 km larg nga Montpelie dhe për arsye se punoj në Montpelie nuk mund të ndryshoj qytet. Kështu që 4 herë në javë + ndeshje duhen bërë vajtje-ardhje. Nga nëntori i 2014 – ës jam pjesë e këtij ekipi dhe fazën e parë u shpallëm kampionë dimri me 7 fitore dhe 1 humbje. Shpresojmë ta ruajmë këtë pozicion deri në fund të kampionatit që të mund të luajmë 1 kategori më lart vitin tjetër,” – thekson Arion Çuni.
KOHA JONË SONDAZH

