Xavi: Messi është Michael Jordan i futbollit, nuk do të shohim më një lojtar si ai

Ish-mesfushori dhe trajneri i njohur spanjoll, Xavi Hernández, ka vlerësuar në superlativa ish-shokun e tij te Barcelona, Lionel Messi, duke e krahasuar me legjendën e basketbollit Michael Jordan për ndikimin e jashtëzakonshëm që ka pasur brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Në një intervistë për The Athletic, Xavi u shpreh i bindur se Argjentina do të ketë një rrugëtim të suksesshëm në Kupën e Botës 2026 dhe se tifozët do të shohin versionin më të mirë të Messit.

“Jam i bindur se Argjentina do të arrijë në fazën e eliminimit direkt dhe se do të shohim Messin më të mirë të karrierës së tij. Ai është Michael Jordan i futbollit. Nuk besoj se do të shohim ndonjëherë një tjetër lojtar si ai”, deklaroi Xavi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ish-kapiteni i Barcelonës foli gjithashtu për mënyrën unike se si Messi e bën futbollin të duket i thjeshtë për shokët e skuadrës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Nëse nuk di të kombinosh me Messin, atëherë nuk di të luash futboll. Është kaq e thjeshtë. Kur ia pason topin Leos, ai ta kthen gjithmonë në mënyrë perfekte. Edhe sot emocionohem kur e shoh duke luajtur”, tha spanjolli.

Xavi bëri edhe një krahasim mes karrierës së tij dhe asaj të yllit argjentinas, duke theksuar se Messi vazhdon të performojë në nivel të lartë pavarësisht moshës.

“Unë luajta deri në moshën 39-vjeçare, por në atë kohë kisha lënë kombëtaren spanjolle dhe po luaja në Katar. Leo është në të njëjtën moshë tani dhe nuk ka ndryshuar fare. Mjafton të shikoni mënyrën si lëviz, shpejtësinë e hapave dhe kontrollin e topit”, shtoi ai.

Në fund, Xavi vlerësoi mentalitetin fitues të kampionit të botës me Argjentinën, duke theksuar se shumë futbollistë do të kishin vendosur t’i jepnin fund karrierës pas triumfit në Botërorin e vitit 2022.

“Kushdo tjetër do të ishte tërhequr pasi fitoi Kupën e Botës në vitin 2022, por Messi është një luftëtar i lindur. Ai vazhdon të ketë të njëjtën uri për sukses dhe kjo e bën të veçantë”, përfundoi Xavi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?