Xhaka pozon me fanellën e re, tifozët e Sunderland dynden drejt dyqaneve për ta blerë
Sunderland ka prezantuar fanellën e re të shtëpisë për sezonin e ri në Premier League, duke marrë menjëherë vlerësime të shumta nga tifozët dhe mediat sportive, të cilët e konsiderojnë atë si një nga fanellat më të bukura të këtij edicioni.
Klubi anglez publikoi fanellën të mërkurën, duke zgjedhur një dizajn pa sponsor në pjesën e përparme dhe duke i bërë homazh skuadrës legjendare që fitoi Kupën FA në vitin 1937. Fanella ruan ngjyrat tradicionale kuqe e bardhë të Sunderlandit dhe spikat për jakën klasike me kopsa, si dhe stemën retro, të frymëzuara nga uniforma historike e ekipit fitues të Kupës FA.
Në pjesën e brendshme të qafës janë të shkruar emrat e 11 lojtarëve që zbritën në fushë në finalen e vitit 1937 në “Ëembley”, ndërsa në pjesën e jashtme është vendosur stema origjinale që klubi përdorte pothuajse një shekull më parë.
Entuziazmi i tifozëve ishte i jashtëzakonshëm. Video të publikuara në rrjetet sociale treguan qindra mbështetës të Sunderlandit të rreshtuar që në orën 06:00 të mëngjesit jashtë stadiumit “Stadium of Light”, në pritje për të blerë fanellën e re.
Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë mjaft pozitive. Shumë tifozë e kanë cilësuar fanellën si “fanella e sezonit”, ndërsa një prej tyre shkroi: “Kjo fanellë është e jashtëzakonshme. Tani mbetet vetëm të fitojmë edhe Kupën FA këtë sezon.” Një tjetër e përshkroi atë si “ndoshta fanellën më të bukur të një skuadre të elitës në të gjithë futbollin europian këtë sezon”.


KOHA JONË SONDAZH

