Yildiz: Paratë s’kanë rëndësi, nuk dua të më krahasojnë me Del Pieron
Talenti turk i Juventus, Kenan Yildiz, ka konfirmuar lidhjen e fortë me klubin bardhezi pas rinovimit të kontratës deri në vitin 2030, duke theksuar se zgjedhja e tij nuk ka qenë kurrë e motivuar nga paratë.
“Gjithmonë kam luajtur për t’u përmirësuar. Për mua ka rëndësi besimi dhe te Juventusi e kam gjetur gjithmonë. Ndihem shumë mirë këtu dhe e ardhmja ime është në Torino”, u shpreh Yildiz, duke shtuar se largimi nga Bayern Munich ishte një hap i natyrshëm për shkak të konkurrencës së lartë.
Tre vjet më parë, sapo mbërriti në Torino, ai takoi Massimiliano Allegrin: “I kam borxh shumë, gjithë këtë jetë, për mënyrën se si filloi. I kam borxh mirënjohje edhe Montellës (trajnerit të Turqisë)”. Tani është Luciano Spalletti: “Një trajner i shkëlqyer, një njeri i veçantë, plot emocione”.
Pavarësisht moshës së re, 19-vjeçari tregon pjekuri, duke pranuar se kritikat janë pjesë e futbollit dhe se synon të përmirësohet vazhdimisht. Ai mori si shembull Cristiano Ronaldo për mentalitetin dhe qëndrueshmërinë në nivele të larta.
“Pak lojtarë arrijnë të ruajnë të njëjtin nivel performance për 50 ndeshje. Është normale që kritikat ndonjëherë vijnë, kjo është ajo që bëjnë gazetarët: shkruajnë opinione. Sa për mua, e di që kam shumë për të përmirësuar, për shembull, shikoni Cristiano Ronaldon, i cili në moshën 40 vjeç ka një mentalitet fantastik.”
Yildiz refuzoi krahasimet me Alessandro Del Piero, duke theksuar se dëshiron të shkruajë historinë e tij dhe të lërë gjurmë personale te Juventusi: “Nuk më pëlqen sepse sapo kam filluar, ndërsa ai është një legjendë botërore, pjesë e historisë së Juventusit dhe futbollit. Dua të ndërtoj historinë time dhe të lë diçka timen pas.”
KOHA JONË SONDAZH

