Zbulohen finalistët e Europa League dhe Conference League
Janë mësuar skuadrat që do të luftojnë për trofetë e edicionit 2025/26 në Europa League dhe Europa Conference League, pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale.
Në finalen e Europa League, që do të zhvillohet më 20 maj në Stamboll, do të përballen Aston Villa dhe Freiburg.
Skuadra e drejtuar nga Unai Emery përmbysi humbjen 1-0 të ndeshjes së parë ndaj Nottingham Forest, duke triumfuar 4-0 në takimin e kthimit në derbin anglez. Golat u realizuan nga Ollie Watkins në minutën e 36-të, Emiliano Buendia në të 58-ën dhe John McGinn me dy gola në minutat 77 dhe 80.
Nga ana tjetër, SC Freiburg siguroi finalen pasi eliminoi SC Braga. Gjermanët fituan 3-1 në ndeshjen e kthimit, duke rikuperuar humbjen 2-1 të sfidës së parë. Protagonist ishte Lukas Kubler me dy gola, ndërsa realizoi edhe Johan Manzambi.
Ndërkohë, finalja e Conference League do të luhet më 27 maj në Leipzig mes Crystal Palace dhe Rayo Vallecano.
Anglezët e Oliver Glasner triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Shakhtar Donetsk me rezultatin 2-1, pas suksesit 4-1 në takimin e parë. Një autogol i Henrique dhe realizimi i Ismaila Sarr vulosën kualifikimin.
Në finalen e madhe, Crystal Palace do të sfidojë Rayo Vallecano, që eliminoi Strasbourg duke fituar 1-0 edhe në ndeshjen e kthimit falë golit të Alemao.
KOHA JONË SONDAZH

