Zbulohet një plan për rrëmbimin e Mbappe, sulmuesi i Realit në listën e një bande kriminale
Një hetim i Prokurorisë së Nanterresë ka zbuluar një organizatë kriminale që kishte në shënjestër biznesmenë dhe persona të njohur për pasuritë e tyre. Mes emrave të evidentuar nga hetuesit ishte edhe Kylian Mbappé, sulmuesi i Real Madridit.
Në krye të grupit dyshohet se qëndronte një djalë vetëm 18 vjeç, i identifikuar si Clément L. Edhe pse ndodhej në burgun e Villepintes për vepra të rënda penale, i riu dyshohet se vazhdonte të drejtonte aktivitetin kriminal nga qelia, duke përdorur telefona celularë dhe aplikacionin Snapchat.
Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan dy telefona nga qelia e tij. Në pajisje u gjetën 26 adresa të personave të mundshëm për t’u sulmuar, mes tyre sipërmarrës, argjendarë dhe një tregtar turk të mishit. Në listë ishte edhe emri i Mbappe, i cili konsiderohej një objektiv veçanërisht i rëndësishëm për shkak të pasurisë dhe profilit të tij publik.
Sipas burimeve gjyqësore, grupi kishte nisur të shqyrtonte edhe mundësinë e rrëmbimit të futbollistit për qëllime zhvatjeje, gjatë ndonjë prej vizitave të tij në Paris. Plani, megjithatë, mbeti në fazën fillestare dhe nuk u konkretizua.
Hetimi zbuloi gjithashtu emrat e një reperi francez dhe disa biznesmenëve të tjerë me pasuri të konsiderueshme. Ata dyshohet se ishin përzgjedhur për shkak të profilit të tyre ekonomik.
Rasti ka ngritur njëkohësisht pikëpyetje mbi sigurinë në sistemin penitenciar francez, pasi i dyshuari, pavarësisht se ndodhej pas hekurave, dyshohet se kishte mundur të mbante kontakte dhe të jepte urdhra përmes telefonave të përdorur në mënyrë të paligjshme.
KOHA JONË SONDAZH

