Zbulohet prapaskena e bujshme, Mourinho kishte firmosur me United në 2013: U tërhoqa për një arsye …
Jose Mourinho ka zbuluar një prej historive më të panjohura të karrierës së tij. Në dokumentarin kushtuar jetës së trajnerit portugez, “Special One” ka rrëfyer se në vitin 2013 kishte arritur marrëveshjen për të marrë drejtimin e Manchester United dhe për të pasuar Sir Alex Ferguson.
Një histori që, për vite me radhë, mbeti e fshehtë.
Mourinho kujton se pas largimit nga Real Madrid kishte vendosur të firmoste me “Djajtë e Kuq”, por gjithçka ndryshoi në momentet e fundit.
“Kur u largova nga Real Madridi, firmosa me Manchester United për të zëvendësuar Sir Alex. Mendoj se tani mund ta them këtë, sepse nuk i bëj keq askujt me të vërtetën”, rrëfen portugezi.
Por çfarë ndodhi që marrëveshja u prish?
Mourinho shpjegon se, pavarësisht madhështisë së Manchester United, në atë moment ai kishte nevojë për një tjetër lloj lidhjeje.
“Kur them se Real Madridi është klubi më i madh në botë, duhet të pranoj se Manchester United është shumë pranë tij. Por një gjë është dashuria për futbollin dhe tjetër është dashuria për një skuadër të caktuar. Besoj se kjo e dyta është më e fuqishme. Pas eksperiencës te Real Madridi, kisha nevojë të ndihesha i dashur”, tregon Mourinho.
Në fund, trajneri portugez zgjodhi të rikthehej te Chelsea. Vendimin e tij e ka konfirmuar edhe vetë Sir Alex Ferguson, i cili kujton një telefonatë emocionale nga Mourinho.
“José më telefonoi në mbrëmje, duke qarë. Më tha: ‘Alex, nuk mundem më. I kam dhënë fjalën Chelsea-t dhe nuk kam ndërmend ta shkel premtimin tim’. Arsyeja që më dha ishte e kuptueshme për mua, por mbeta i zhgënjyer”, ka rrëfyer Ferguson.
Manchester United u detyrua të ndryshonte plan dhe drejtuesit vendosën t’ia besonin skuadrën David Moyes. Trajneri skocez e nisi aventurën me fitimin e “Community Shield”, por pjesa tjetër e sezonit rezultoi një katastrofë për klubin.
Moyes u shkarkua pak javë para fundit të sezonit dhe Manchester United mbeti jashtë kompeticioneve europiane.
Pas tij erdhi Louis van Gaal, i cili qëndroi për dy sezone, përpara se në vitin 2016 të vinte momenti që Mourinho të ulej më në fund në stolin e “Djajve të Kuq”.
KOHA JONË SONDAZH

