Zgjidhje urgjente, Ilir Daja trajner i ri i Tiranës
Pak ditë pas barazimit 1-1 me Flamurtarin që solli edhe shkarkimin nga detyra të trajnerit, Shkëlqim Muça, Tirana i beson stolin ish-trajnerin e Dinamos që e shpalli për herë të fundit kampione gjashtë sezone më parë. Klubi bardheblu ka zgjedhur trajnerin e ri duke vendosur në krye të skuadrës 49 vjeçarin, që ka një përvojë të madhe në Kategorinë Superiore. Emërimi i Dajës, vjen në prag të ndeshjes me Kastriotin në Kupë, por ai mendohet se në këtë sfidë do të vëzhgojë skuadrën, pasi drejtimin e saj të paktën për këto 90 minuta do ta kenë dy zëvendës trajnerët Egbo dhe Gvozdenoviç, të cilët drejtuan dhe seancën e pasdites së kësaj të marte. Daja me shumë gjasa do të nisë punën të enjten. Ilir Daja është një emër i njohur i Superiores, pasi ka drejtuar më parë skuadrat e Besës, Dinamos apo Elbasanit, duke fituar madje dhe nga një titull kampion me këto dy skuadra. Gjatë verës ai u lakua shumë për uljen në krye të stolit të Bylis, por në fund nuk u arrit një marrëveshje me ballshiotët. Detyra e Dajës nuk do të jetë e thjeshtë te Tirana, pasi rezultatet e fillim kampionatit kanë qenë zhgënjyese megjithatë 49-të vjecari është mësuar me të tilla sfida dhe afrimi i tij shikohet si një lëvizje pozitive nga kryeqytetasit.
KOHA JONË SONDAZH

