Zhegrova zhgënjen te Juventusi, media italiane e quan “Zerova”
Edon Zhegrova po kalon një sezon të vështirë te Juventusi, ku nuk ka arritur të lërë gjurmë në aspektin statistikor dhe të performancës. Anësori ofensiv, i afruar me pritshmëri të larta për të forcuar krahun e djathtë të sulmit, nuk ka regjistruar deri tani as gola dhe as asiste.
Situata e tij ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, ku “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një analizë kritike, duke e cilësuar me nofkën “Zerova”, në një lojë fjalësh që i referohet mungesës së kontributit konkret në fushë.
Sipas medias italiane, një rast i ngjashëm me mungesë totale kontributesh nga një anësor sulmi nuk ishte parë prej rreth 15 vitesh në klub, duke e krahasuar situatën me Horge Martinez në një sezon të mëparshëm të vështirë për Juventusin.
Zhegrova u transferua nga Lille për rreth 14.3 milionë euro në merkaton e verës, por deri më tani nuk ka arritur të justifikojë investimin. Në media italiane po qarkullojnë gjithashtu zëra se ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit, për shkak të mos përshtatjes me kërkesat taktike dhe mungesës së ndikimit në fazën mbrojtëse.
Në këtë situatë, e ardhmja e tij te Juventusi mbetet e paqartë, ndërsa një largim i mundshëm në fund të sezonit po shihet si një opsion gjithnjë e më i mundshëm.
KOHA JONË SONDAZH

