Zidane kompleton stafin e Francës, Fabien Barthez rikthehet te “Les Bleus”

Zinedine Zidane po i jep formë stafit të tij të ri në krye të kombëtares së Francës, ndërsa një prej emrave më të njohur të futbollit francez do të jetë pjesë e projektit të tij. Fabien Barthez, ish-portieri legjendar i “Les Bleus”, pritet të marrë detyrën e trajnerit të portierëve.

Zidane do të nisë zyrtarisht aventurën në stolin e Francës më 25 shtator, në transfertën ndaj Turqisë, në kuadër të Nations League. Pak javë para debutimit, ish-ylli i Real Madridit ka përcaktuar pjesën kryesore të stafit që do ta shoqërojë në këtë sfidë të re.

Bashkëpunimi mes Zidane dhe Barthez ka edhe një dimension të veçantë emocional. Të dy kanë qenë pjesë e kombëtares franceze që triumfoi në Kupën e Botës 1998, me Zidane që shënoi dy gola në finalen ndaj Brazilit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dy vite më vonë, ata festuan së bashku edhe titullin e kampionit të Europës në Euro 2000, duke u shndërruar në pjesë të një prej brezave më të suksesshëm në historinë e futbollit francez. Tashmë, më shumë se dy dekada më vonë, ata do të bashkëpunojnë sërish, këtë herë në stafin teknik të “Les Bleus”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në krah të Zidane do të jetë edhe David Bettoni, ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë gjatë periudhës te Real Madridi. Në staf pritet të përfshihet gjithashtu Grégory Dupont, ish-përgatitësi atletik i kombëtares franceze gjatë triumfit në Botërorin 2018.

Përfshirja e Barthez në stafin e Zidane ishte dakordësuar prej javësh, por zyrtarizimi është shtyrë për shkak të një çështjeje administrative që lidhej me licencën e nevojshme për të punuar në futbollin profesionist në Francë.

Pas sfidës së parë në transfertë ndaj Turqisë më 25 shtator, Zidane do të debutojë para tifozëve francezë më 2 tetor, kur Franca do të përballet me Italinë. Një përballje me simbolikë të veçantë për “Zizou”. Pikërisht ndaj Italisë, në finalen e Kupës së Botës 2006, Zidane zhvilloi ndeshjen e fundit si futbollist.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?