Zidane ndryshon rolin e Mbappe, ja si pritet të jetë Franca e tij!

Zinedine Zidane duket se ka një ide të qartë për mënyrën se si do ta ndërtojë Francën e tij. Trajneri i ri i “Les Bleus” pritet t’i rikthejë Kylian Mbappé pozicionin në krahun e majtë të sulmit, aty ku kapiteni francez ka dhënë shpesh versionin e tij më të mirë.

Pas dy vitesh ku është aktivizuar kryesisht si sulmues qendre, Mbappé pritet të ketë më shumë liri në fazën ofensive, duke nisur aksionet nga krahu i majtë dhe duke shfrytëzuar shpejtësinë, driblimin dhe aftësinë për të sulmuar hapësirat.

Kjo ide e Zidane nuk është e re. Përpara se të merrte zyrtarisht drejtimin e Francës, trajneri kishte diskutuar me Mbappé për rolin që ai dëshironte t’i besonte në skuadër.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ai mund të luajë në të tre pozicionet e sulmit. Personalisht, megjithatë, më pëlqen më shumë në të majtë”, kishte deklaruar Zidane gjatë prezantimit të listës së tij të parë si trajner i Francës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mbappé e njeh mirë këtë rol edhe me fanellën e kombëtares. Ai ka regjistruar 32 paraqitje si sulmues i majtë për Francën, me një bilanc prej 21 golash dhe 16 asistimesh. Paraqitja e fundit zyrtare në këtë pozicion ishte në gjysmëfinalen e Europianit 2024 ndaj Spanjës.

Më pas, si te Real Madrid, ashtu edhe te kombëtarja franceze, Mbappe është zhvendosur gradualisht në qendër të sulmit.

Ndryshime priten edhe në pjesën tjetër të repartit ofensiv. Zidane po shqyrton mundësinë që Ousmane Dembélé të luajë në qendër të sulmit, pas eksperiencës së tij në këtë rol te Paris Saint-Germain dhe sezonit të suksesshëm të fundit.

Në krahun e djathtë pritet të pozicionohet Michael Olise, duke krijuar një treshe sulmuese me Mbappe në të majtë, Dembele në qendër dhe Olise në të djathtë.

Prova e parë e këtij versioni të ri të Francës do të vijë të premten, kur “Les Bleus” do të përballen me Turqinë. Sfida do të jetë testi i parë për idetë taktike të Zidane dhe, mbi të gjitha, për rikthimin e Mbappé në një rol që ai e njeh mirë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?