Zidane prezantohet si trajner i Francës: Dua një ekip sulmues, ndeshja me Italinë do të jetë e veçantë

Zinedine Zidane ka mbajtur konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i kombëtares së Francës, ku shpalosi vizionin e tij për “Gjelat”, foli për emocionet e rikthimit dhe objektivat që synon të arrijë në krye të përfaqësueses.

Legjenda e futbollit francez theksoi se skuadra e tij do të luajë një futboll ofensiv, duke vazhduar rrugën e sukseseve të ndërtuar nga Didier Deschamps.

“Stilin e lojës do ta shihni shumë shpejt. Kam qenë një numër 10 dhe gjithmonë jam udhëhequr nga dëshira për të shënuar dhe për të krijuar futboll. Kam jetuar 25 vite në Spanjë dhe e dini mirë çfarë do të thotë kjo. Në fushë isha një lider teknik, ndërsa tani dua të jem një lider përmes përvojës sime”, u shpreh Zidane.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ish-trajneri i Real Madridit nuk e fshehu emocionin për rikthimin te kombëtarja franceze, kësaj radhe në rolin e trajnerit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Fitimi i Kupës së Botës në vitin 1998 ishte momenti më i bukur i jetës sime, sepse e arrita së bashku me shokët e skuadrës. Kam pritur këtë mundësi për katër ose pesë vite. Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur që ndodhem këtu”, deklaroi ai.

Sa i përket Kylian Mbappé dhe çështjes së kapitenit, Zidane tha se vendimet do të merren në muajin shtator.

“Nuk kemi folur ende me Kylian. Tani gjëja më e rëndësishme për të është të pushojë. Në shtator do të diskutojmë me të dhe me të gjithë lojtarët për projektin tonë.”

Trajneri i ri i Francës pranoi se nuk ekziston një formulë magjike për të fituar, por u shpreh i bindur se ka në dispozicion një grup futbollistësh me cilësi të jashtëzakonshme.

“Fillimisht duhet të njoh lojtarët, t’u shpjegoj idetë e mia dhe atë që duam të ndërtojmë së bashku. Më pas do të jetë detyra ime që ta mbaj këtë skuadër në nivelet më të larta.”

Zidane zbuloi gjithashtu se stoli i Francës ka qenë gjithmonë objektivi i tij kryesor.

“Pas largimit nga Real Madridi nuk pranova asnjë klub, sepse dëshira ime ishte të drejtoja Francën. Kur Didier Deschamps njoftoi vendimin e tij në janar 2025, e dija menjëherë se doja të isha pasuesi i tij.”

Në fund, ai foli edhe për sfidat e para në krye të kombëtares, duke veçuar përballjen ndaj Italisë.

“Ndeshjet e shtatorit janë tashmë në mendjen time. Italia është një kundërshtar i veçantë për mua, sepse kam luajtur atje, njoh shumë njerëz dhe flas italisht. Po përgatitem prej kohësh për këto sfida”, përfundoi trajneri i ri i Francës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?