
Trajneri i Francës, Zinedine Zidane, ka mohuar zërat për një përplasje me Kylian Mbappe, duke konfirmuar se sulmuesi i Real Madridit nuk do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Italisë në Nations League. Sipas tij, bëhet fjalë për një problem fizik dhe jo për ndonjë konflikt brenda skuadrës.
Kombëtarja e Francës ka mbërritur në Milano, ku të enjten në mbrëmje do të përballet me Italinë në kuadër të Nations League. Megjithatë, në prag të kësaj sfide, vëmendjen e kanë marrë lajmet për mungesën e Kylian Mbappe dhe aludimet për një marrëdhënie të tensionuar mes tij dhe trajnerit Zinedine Zidane.
Ky i fundit ka dalë në konferencë për shtyp për të sqaruar situatën, duke theksuar se vendimi për të mos aktivizuar yllin francez lidhet vetëm me gjendjen e tij fizike.
“Mbappe nuk do të luajë kundër Italisë. Ai ka ndier një shqetësim të vogël dhe politika jonë është të mos rrezikojmë me asnjë futbollist, pavarësisht emrit të tij. Fatkeqësisht, kështu është futbolli. Nuk është diçka e bukur, por duhet ta pranojmë. Nuk ka asnjë tension mes nesh”, deklaroi Zidane.
Trajneri francez shtoi se Mbappe dëshiron të qëndrojë pranë ekipit dhe se kishte shprehur gatishmërinë për të luajtur, por problemi muskulor e ka detyruar të mos rrezikojë.
“Lajmi i mirë është se ai dëshiron të qëndrojë me ne. Madje donte të luante edhe nesër, por ka një problem muskulor. Megjithatë, e shoh mirë dhe mund të jetë i gatshëm për të dielën. Kemi shumë ndeshje mes kombëtares, kampionatit dhe Champions League, ndaj shëndeti i futbollistëve është përparësia jonë”, u shpreh ai.
Ylli i Real Madridit nuk është i vetmi futbollist që do të mungojë në këtë periudhë. Zidane përmendi edhe rastet e Aurelien Tchouamenit dhe Marcus Thuram, të cilët gjithashtu nuk kanë mundur të qëndrojnë me skuadrën për shkak të problemeve fizike.
“E njëjta gjë ndodhi edhe me Tchouamenin dhe Thuram. Ata nuk qëndruan me ne, pasi nuk mund të luanin as nesër dhe as të dielën. Në raste të tilla, futbollistët duhet të kthehen në shtëpi. E vlerësova faktin që Aurelien dhe Marcus erdhën, pavarësisht se nuk ishin në gjendjen më të mirë. Ata u përpoqën dhe ishte bukur të shihje dëshirën e tyre për të luajtur për Francën”, tha trajneri.
Sa i përket formacionit që do të zbresë në fushë ndaj Italisë, Zidane pranoi se mungesat janë të shumta, por garantoi se Franca do të paraqitet me një ekip konkurrues.
“Objektivi ynë është të hedhim në fushë skuadrën më të mirë të mundshme. Kemi lojtarë që mund të bëjnë një paraqitje të mirë. Pavarësisht mungesave, do të kemi një ekip konkurrues”, theksoi ai.
Në fund, trajneri francez foli edhe për vështirësinë e përballjes me Italinë në San Siro, duke kujtuar se skuadra e kaltër mbetet një kundërshtar mjaft i organizuar, sidomos në aspektin defensiv.
“Vështirësia lidhet gjithmonë me lojtarët që nuk mund të aktivizohen, sepse kjo nuk i pëlqen asnjë trajneri. Por është pjesë e futbollit dhe duhet ta pranojmë. Në ndeshjen e parë patëm një mbrëmje të vështirë. E dimë se Italia, kur dëshiron të zhvillojë një ndeshje të mirë, di ta bëjë këtë, veçanërisht në mbrojtje”, u shpreh Zidane.
Ai kujtoi gjithashtu periudhën e tij te Juventusi, duke theksuar se filozofia e futbollit italian e ka gjithmonë në plan të parë organizimin defensiv.
“Kam luajtur katër-pesë vite te Juventusi dhe mendoj se për një italian fillimisht vjen mbrojtja e mirë dhe më pas sulmi. Italia e bën këtë në mënyrë të shkëlqyer”, përfundoi Zidane.
