Zinedine Zidane rikthehet në fushë? Njihuni me super talentin që mban emrin e legjendës
Emri Zinedine Zidane është rikthyer të qarkullojë në botën e futbollit, por këtë herë historia vjen nga Amerika e Jugut dhe protagonisti nuk është legjenda franceze.
Në Kolumbi, një tjetër Zinedine Zidane po kërkon të shkruajë historinë e tij. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin Zinedine Zidane Bedoya Morales, një mesfushor ofensiv i talentuar që së fundmi është afruar me ekipin e parë të Atlético Nacional dhe pret debutimin mes profesionistëve.
Emri i tij është padyshim i veçantë dhe pas tij fshihet një histori e thjeshtë. Babai i 17-vjeçarit ishte një admirues i madh i ish-yllit të Francës, Juventusit dhe Real Madridit dhe vendosi t’i vendoste të birit emrin e idhullit të tij.
Edhe në fushë, ngjashmëritë nuk mungojnë. Bedoya Morales luan si mesfushor ofensiv dhe mban fanellën me numrin 10, një rol që dikur e bëri Zinedine Zidane një prej futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tij.
Talenti i të riut kolumbian nuk ka kaluar pa u vënë re. Pavarësisht moshës së re, ai ka tërhequr vëmendjen e kompanisë Nike, me të cilën ka firmosur tashmë një kontratë.
Në rrjetet sociale, 17-vjeçari preferon të prezantohet me nofkën “Zizu”, një emër që të sjell menjëherë në mendje “Zizou”, pseudonimin e famshëm të legjendës franceze.
Tashmë, ëndrra e tij është edhe më e madhe: të përballet një ditë me Zidane-in e vërtetë. Dhe për të, një mundësi e tillë mund të vijë në një skenë gjigante, ndoshta në Kupën e Botës 2030.
KOHA JONË SONDAZH

