Zion Suzuki transferohet te Aston Villa, hapet rruga për Dibu Martínez te Juventusi
Zion Suzuki është shumë pranë transferimit te Aston Villa. Klubi anglez ka arritur marrëveshjen me Parmën për transferimin e portierit japonez për një shumë prej 30 milionë eurosh plus 5 milionë euro bonuse.
Sipas raportimit të David Ornstein të The Athletic, marrëveshja mes dy klubeve është arritur dhe Suzuki pritet të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Aston Villan. Lëvizja vjen vetëm pak kohë pasi dështoi transferimi i tij te Paris Saint-Germain.
Transferimi i Suzuki-t në Birmingham mund të shkaktojë një efekt domino në merkato, veçanërisht në lidhje me të ardhmen e Emiliano “Dibu” Martínez. Portieri argjentinas është prej kohësh në radarët e Juventusit dhe ardhja e një gardiani të ri te Aston Villa mund të hapë përfundimisht derën për largimin e tij.
Juventusi ka rikthyer fuqishëm interesin për Martínez dhe tashmë ka nisur negociatat me klubin anglez. Sipas raportimeve të fundit, Aston Villa kërkon rreth 10 milionë euro, ndërsa oferta e fundit e bardhezinjve është 7 milionë euro fikse plus 3 milionë euro bonuse. Diferenca mes palëve nuk është e madhe, por ende duhet gjetur një marrëveshje përfundimtare.
Nëse transferimi i Suzuki-t zyrtarizohet, Aston Villa do të ketë një alternativë të re në portë, ndërsa rruga për Martínez drejt Torinos mund të bëhet edhe më konkrete. Juventus po punon për të mbyllur operacionin, ndërsa negociatat me klubin anglez vazhdojnë.
Kështu, transferimi i Suzuki-t mund të jetë vetëm lëvizja e parë e një efekti domino mes Parmës, Aston Villas dhe Juventusit, me Dibu Martínez që mund të përfundojë në Serie A.
KOHA JONË SONDAZH

