Zlatko Dalic largohet nga drejtimi i Kroacisë pas 9 vitesh: Po mbyll një epokë të jashtëzakonshme

Zlatko Dalić ka njoftuar largimin nga posti i trajnerit të kombëtares së Kroacisë, duke i dhënë fund një epoke gati nëntëvjeçare në krye të “Vatrenëve”. Përmes një mesazhi emocionues, tekniku kroat falënderoi të gjithë ata që e shoqëruan në rrugëtimin e tij dhe e cilësoi këtë si vendimin më të vështirë të karrierës.

“Roli i trajnerit të kombëtares kërkon shumë vendime të vështira, por ky është padyshim më i vështiri për mua. Gjithmonë kam thënë se nuk ka nder më të madh sesa të drejtosh kombëtaren e vendit tënd dhe se nuk mund të ekzistonte një punë më e rëndësishme, më e bukur apo me më shumë përgjegjësi,” shkroi Dalić.

Trajneri kujtoi se kur mori drejtimin e Kroacisë besonte te cilësia e futbollistëve dhe te vetja, por nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të arrinte sukseset që pasuan.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Nuk mund ta përshkruaj sa krenar jam për çdo fitore, për çdo kualifikim në turnetë e mëdhenj dhe për tre medaljet që fituam. Do të mbaj mend gjithmonë mbrëmjet historike kur mposhtëm Anglinë dhe Brazilin në Kupën e Botës, por mbi të gjitha unitetin që krijuam brenda skuadrës dhe me popullin kroat,” theksoi ai.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dalić shprehu mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij, stafin teknik e mjekësor, drejtuesit e Federatës Kroate të Futbollit, tifozët dhe mediat.

“Falënderoj të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në këtë rrugëtim, bashkëpunëtorët e mi, mjekët, fizioterapistët, stafin logjistik dhe drejtuesit e federatës. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët, të cilët na mbështetën pa kushte, si dhe për familjen time, pa të cilën asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur.”

Tekniku kroat rezervoi fjalë të veçanta edhe për futbollistët që drejtoi gjatë këtyre viteve, duke nisur nga kapiteni Luka Modrić.

“Jam me fat që pata mundësinë të drejtoj futbollistë të jashtëzakonshëm dhe njerëz me vlera, nga Luka Modrić dhe brezi i veteranëve, deri te lojtarët e rinj që po marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Ata gjithmonë e vendosën Kroacinë mbi gjithçka tjetër dhe treguan se çfarë do të thotë të përfaqësosh këtë fanellë.”

Dalić zbuloi se mbështetja e marrë në ditët e fundit e bëri të mendonte edhe një herë për vendimin e tij, por në fund vendosi se kishte ardhur momenti për t’u larguar.

“Mbështetja që mora më bëri ta rishqyrtoja vendimin, por mendoj se tani është koha e duhur për ta mbyllur këtë kapitull të jashtëzakonshëm. Largohem me zemrën plot dhe krenar që kam kontribuar në sukseset më të mëdha në historinë e futbollit kroat. Pasardhësit tim, kombëtares kroate dhe futbollit kroat u uroj shumë triumfe të tjera, sepse besoj fort te e ardhmja e tyre,” përfundoi ai.0

Nën drejtimin e Zlatko Dalić, Kroacia u shndërrua në një nga kombëtaret më të suksesshme të dekadës së fundit, duke fituar tre medalje në Kupat e Botës dhe duke shkruar faqet më të lavdishme në historinë e futbollit kroat.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?