
Dinamo vijon të forcohet në këtë merkato janari.
Skuadra kryeqytetase është një ndër ekipet më aktive në këtë fazë të sezonit, duke afruar shumë emra të rëndësishëm për arritjen e objektivave sezonal.
Erald Kolgega është prurja e re te “Blutë” që vendosin të rikthejnë në skuadër mesfushorin 25-vjeçar. Kolgega ka gjetur akordin me drejtuesit e klubit dhe do të jetë në dispozicion të teknikut italian për pjesën e mbetur të sezonit.
25-vjeçari është një njohje e vjetër te kryeqytetasit, pasi ka veshur fanellën e “Bluve” edhe në sezonin 2015-2016 dhe gjysmën e dytë të sezonit të shkuar. Në pjesën e parë të sezonit, Kolgega ishte pjesë e Bv Essen në Gjermani.
Kolgega firmosi te klubi që militon në kategorinë e gjashtë në Gjermani si futbollist i lirë nga Apolonia. Me Essen luajti vetëm 8 takime, duke grumbulluar 273 minuta, çka nuk bindën drejtuesit për ta mbajtur në ekip.

