Hapet gara për shfrytëzimin maksimal të internetit me shpejtësi 4G
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka miratuar hapjen e tenderit ndërkombëtar për dhënien nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) të dy autorizimeve të tjera për të drejtat e përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz për operatorët celularë, pra shfrytëzimin maksimal të internetit me shpejtësi 4G.
Tenderi do të zhvillohet me procedurë të hapur ndërkombëtare. Sipas ministrisë ‘Ky proces synon nxitjen e investimeve për zhvillimin e internetit të shpejtë (mobile broadband), për të përmirësuar infrastrukturën dixhitale në vend si dhe për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët në të gjithë territorin e vendit’.
Nga dy kontratat që pritet që të miratohen buxheti i shtetit pritet që fitojë 15 mln euro. “Në të njëjtën kohë nga realizimi me sukses i këtij procesi për dhënien e 2 të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz, synohet të sigurohet një e ardhur e konsiderueshme, që do të shkojë për buxhetin e shtetit. AKEP do të hapë garën për paraqitjen e ofertave nga kompanitë e interesuara në datën 9 shtator 2019. Vlera minimale e pranueshme për ofertuesit për dhënien e një autorizimi individual për përdorimin e frekuencave në brezin 800 MHz, të jetë jo më pak se 7.44 milionë euro dhe ofertuesit të cilët do të ofrojnë një çmim më të ulët se kjo vlerë do të s’kualifikohen. Përdorimi i Internetit në Shqipëri vijon të rritet dhe komunikimi në internet nga rrjetet celulare është rritur me 15 herë në pesë vitet e fundit. Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare me aksesbroadband në internet për vitin 2018 ishte rreth 2.6 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë (përdorim të internetit në tre muajt e fundit) rreth 1.8 milionë”,-mbyllet njoftimi nga ministria.