Harito: Shqipëria ndër vendet model në rajon për ndërlidhjen dixhitale
“Shqipëria është sot një ndër praktikat më të mira në rajon, sepse kemi ndërlidhur të gjithë sistemet e shtetit në një infrastrukturë të vetme, çka ka bërë që sot një sërë shërbimesh publike merren online. Për shembull shërbimi i lejeve të ndërtimit, shërbimi i kartës së shëndetit, shërbimet e ZRPP-së etj”.
Deklarata është bërë nga Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, gjatë analizës vjetore të punës së agjencive të Inovacionit.
Duke folur për reformat që ka ndërmarrë qeveria, ministrja Harito është ndalur në ndryshimet rrënjësore që janë bërë në drejtim të dixhitalizimit të sistemeve, që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e efiktivitetit të punës së administratës.
“Objektivi ynë për 2025 është që administrata të ketë 0 letër. Pra, në administratë të mos qarkullojë më asnjë fije letër dhe çdo gjë të qarkullojë vetëm në format dixhital”, është shprehur Harito.
Një tjetër rezultat i prezantuar ka qenë ai i aksesit të popullsisë në internet. “Kemi bërë një hop të rëndësishëm në drejtim të aksesit në internet për të gjithë popullsinë. Kemi kaluar nga rreth 30% që ishte në 2013 në 60% të popullsisë që sot ka akses në internet”, ka thënë ministrja e Inovacionit.
Harito ka folur gjerësisht edhe për ndryshimet e bëra në sistemin e rekrutimit të nëpunësve në Shërbimin Civil. Sipas saj aplikimet në sistemin e Departamentit të Administratës Publike në dy vitet e fundit janë katërfishuar. Procesi është i gjithi online dhe transparent për të mos i lënë më vend perceptimeve negative.
“Puna që ne kemi bërë me shumë ngulm prej 3 vjetësh është njohur qartë si progresi më i qëndrueshëm ndër 5 prioritetet e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE. Prioriteti i Reformës së administratës është ai që ka ecur shumë mirë”, theksoi Harito.
Infrastruktura gjeohapësinore ka qenë një tjetër kapitull, ku sipas ministres Harito janë bërë hapa të rëndësishëm. “Kemi tashmë një infrastrukturë gjeohapësinore, që do të thotë harta dixhitale, shumë moderne, të mirëorganizuara, transparente, të vendosura në Gjeoportalin Kombëtar, të cilat kjanë duke shërbyer për të ecur shumë shpejt me legalizimet, me dhënien certifikatave të pronësisë së tokës në fshat dhe një sërë problematikash të mbartura gjatë 25 viteve tranzicion”, ka thënë Harito.
Gjithsesi ministrja e Inovacionit duket e ndërgjegjshme se teknologjia dhe inovacioni ecin me ritme të shpejta, ndaj nuk ngurron të shprehet se çfarë është bërë në këto 3 vite janë shumë, por shumë më tepër duhet bërë, për të arritur ato standarde që kërkojnë qytetarët, që kërkon zhvillimi i vendit dhe integrimi në BE.