Instagram nxjerr aplikacionin që kopjon TikTok

Rrjeti social, Instagram ka prezantuar të mërkurën një mundësi të re në këtë platformë, Instagram Reels, që duket se është përgjigje ndaj aplikacionit për video të shkurta, TikTok.

Operacioni i ri u ofron mundësi përdoruesve që të incizojnë dhe modifikojnë materialet e tyre 15-sekondëshe përmes një vargu efektesh.

Përdoruesit do të kenë mundësi të shpërndajnë me ndjekësit e tyre këto materiale në një seksion të ndarë apo edhe në zonën ku materialet e publikuara largohen pas 24 orëve.

Rrjeti social, Facebook, që menaxhon Instagramin ka histori të gjatë të klonimit të shërbimeve konkurente. Mundësia e publikimit të fotografive për 24 orë është e ngjashme me atë të platformës Snapchat.

Shefi i Facebookut, Mark Zuckerberg është përballur me pyetje të ashpra rreth shprehisë së kopjimit të rivalëve përgjatë një seance në Kongresin amerikan më 29 korrik.

Aktualisht kompania amerikane, Microsoft është duke negociuar për blerje të operacioneve të aplikacionit TikTok në Shtetet e Bashkuara.

Ditë më parë presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se mund të ndalojë përdorimin e këtij aplikacioni kinez në SHBA, i cili besohet se ka 100 milionë përdorues në territorin amerikan dhe qindra miliona tjerë në gjithë botën.

Mundësia Reels e Instagramit do të funksionalizohet në 50 shtete, përfshirë SHBA-në, Indinë, Brazilin, Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë, Australianë e tjera.

SHKARKO APP