“Mbro veten gjatë lundrimit në internet”
Sot më 28 Janar 2016, në Ditën Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale u zhvillua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në kryeqytet ceremonia e ndarjes së çmimeve të konkursit “Mbro privatësinë tënde gjatë lundrimit në internet”. Ky lloj aktiviteti vlerësohet si një nga mënyrat më të mira për rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohjen me të drejtat e tyre të të rinjve dhe fëmijëve, për nevojën e ruajtjes së privatësisë dhe të dhënave personale, duke marrë në konsideratë zhvillimin e shpejtë të rrjeteve sociale.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm znj. Dewi van de Weerd, Ambasador i Mbretërisë së Holandës; znj. Nora Malaj, zv/ministër i Arsimit dhe Sportit; z. Olsi Dekovi, përfaqësues i Këshillit të Evropës në Shipëri; përfaqësues të Raiffeisen Bank dhe Botimeve Dudaj – mbështetës të këtij aktiviteti; nxënës e mësues të shkollës 9-vjeçare të Tiranës “Jeronim de Rada” dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, teksa shprehu kënaqësinë për numrin shumë të madh dhe për punimet me cilësi të nxënësve në këtë konkurs, theksoi se në epokën digjitale edukata për ruajtjen e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave duhet të merret që në bangat e shkollës. Sipas tij, pjesëmarrja kaq e lartë dhe dëshira e nxënësve, është shprehje kuptimplotë e procesit të ndërgjegjësimit gjithnjë në rritje e brezit më të ri me këtë të drejtë kushtetuese.
Znj. van de Weerd, në fjalën e saj përshëndetëse e konsideroi si një përvojë mjaft të vyer organizimin e këtij konkursi. Ndërsa e cilësoi Zyrën e Komisionerit një partner të rëndësishëm, edhe në kuadër të presidencës së rradhës 6-mujore të Bashkimit Evropian që mbahet nga Mbretëria e Holandës.
Znj. Malaj nga ana e saj vlerësoi angazhimin e nxënësve pjesëmarrës në këtë konkurs, si dhe theksoi bashkëpunimin e institucionalizuar tashmë me Zyrën e Komisionerit në organizimin e aktiviteteve të kësaj natyre.
Organizimi i konkursit “Mbro privatësinë tënde gjatë lundrimit në internet” me shkollat 9-vjeçare me punime në ese/poezi dhe në vizatime/pikturë është një iniciativë e Zyrës së Komisionerit, në kuadër të kremtimit të 28 Janarit, Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në këtë aktivitet morën pjesë 21 shkolla 9-vjeçare nga 17 qytete të vendit, nxënësit e të cilave paraqitën mbi 500 punime në të dy kategoritë. Më poshtë lista e fituesve të çmimeve:
Kategoria pikturë/vizatim:
Çmimi I – Eden Fetahu, shkolla “Jeronim de Rada”, Tiranë;
Çmimi II – Irda Pateriku, Eneida Barbullushi, shkolla “Ndre Mjeda”, Shkodër;
Çmimi III – Jimena Qarri, shkolla “Sevasti Qiriazi”, Korçë;
Çmimi special Raiffeisen Bank – Melisa Mali, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, Durrës.
Kategoria ese/poezi:
Çmimi I – Kristjan Qoku, shkolla “Papa Kristo Negovani”, Ersekë;
Çmimi II – Jonida Morina, shkolla “Avni Rustemi”, Kukës;
Çmimi III – Kledi Saliko, shkolla “Naim Frashëri”, Fier;
Çmimi special Botimet Dudaj – Detjona Avllaj, shkolla “Nr.1” Krujë.
Kupa si shkollës më të mirë pjesëmarrëse në këtë konkurs iu akordua “Jeronim de Radës”, Tiranë.