Parashikimi gjenial i Arabisë Saudite për Ngushticën e Hormuzit, ka tubacion sekret nëntokësor
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit kanë rikthyer në vëmendje një vendim strategjik që Arabia Saudite mori më shumë se katër dekada më parë. Në një kohë kur shumica e vendeve të botës nuk e imagjinonin dot se kjo ngushticë mund të kthehej në një pikë të rrezikshme për furnizimin global me energji, Riadi kishte menduar tashmë një plan rezervë.
Që në vitin 1981, Arabia Saudite ndërtoi një tubacion gjigant rreth 1,200 kilometra të gjatë që lidh Jubailin në Gjirin Persik me portin e Yanbu në brigjet e Detit të Kuq. Ky projekt, i njohur si tubacioni East-West Pipeline (Petroline), u ndërtua pikërisht për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit, në rast se ajo bllokohej nga konflikte apo tensione ushtarake në rajon.
Sot, ndërsa Irani kërcënon ose kufizon lëvizjen në këtë korridor detar ku kalon rreth 20 për qind e naftës që tregtohet në botë, ky tubacion duket si një nga vendimet më të mençura strategjike në historinë e industrisë së energjisë. Me një kapacitet që arrin deri në 7 milionë fuçi naftë në ditë, infrastruktura saudite i jep vendit mundësinë të vazhdojë eksportet drejt tregjeve ndërkombëtare përmes Detit të Kuq, duke shmangur pikën më të rrezikshme të transportit të naftës në planet.
Në thelb, Arabia Saudite ndërtoi një “rrugë të dytë” për naftën e saj shumë kohë përpara se krizat e sotme të bëheshin realitet. Ky vizion afatgjatë tregon se si politika energjetike dhe strategjia gjeopolitike mund të ndërthuren për të mbrojtur interesat kombëtare për dekada me radhë.
Ndërsa sot fuqitë e mëdha diskutojnë koalicione detare për të garantuar sigurinë e transportit në Ngushticën e Hormuzit dhe tregjet e naftës përjetojnë luhatje të forta, Arabia Saudite duket se e kishte menduar këtë skenar shumë kohë më parë. Një investim i bërë 45 vite më parë po rezulton sot një nga garancitë më të rëndësishme për stabilitetin e eksportit të naftës saudite dhe për balancën e tregut global të energjisë.
Ndaj Arabia Saudite po kthehet në një shtet të fuqishëm me ndikim ndërkombëtar dhe ku po mblidhen elitat e futbollit, kulturës dhe teknologjisë moderne.


KOHA JONË SONDAZH

