Rreth botës, me avionin me energji diellore!

Rreth botës për 80 ditë… më saktë për 25 ditë! Kaq presin dy aventurierët zviceranë të zgjasë udhëtimi i tyre rreth globit me një avion që do të ushqehet me energji diellore. Ata janë nisur të martën nga Zvicra për në Abu Dabi, ku pritet të nisin aventurën e tyre që do t’i shohë të përshkojnë një udhëtim të plotë rreth globit në më pak se një muaj!

Bertrand Pikard dhe Andre Borshberg, bashkëthemeluesit e projektit Impulsi Diellor, ishin mjaft të emocionuar teksa avioni i dytë u bë gati për t’u nisur për në Abu Dabi nga mbi një Boing 747. Atje ado të bëhen edhe përgatitjet përfundimtare ndërsa udhëtimi është parashikuar të nisë diku nga fundi i shkurtit ose fillimi i marsit.

“Do da nisim nga Abu Dabi, përmes Indisë dhe Kinës… Itinerari do të kryhet me udhëtime 24-orëshe. Më pas do të bëjmë kërcimin e madh për në Hauai dhe në Shtetet e Bashkuara, do t’i biem SHBA-së mes për mes, do të kapërcejmë Atlantikun për të mbërritur diku në Europën jugore apo Afrikën e veriut, dhe më pas do të kryejmë një tjetër udhëtim të gjatë për të mbërritur në Abu Dabi, aty ku e nisëm, për të kompletuar ciklin”, shprehet Pikar, ndërsa shfleton kryeveprën e Zhyl Vernit, “Rreth botës për 80 ditë”.

Sipas tij, fluturimi është produkt i 12 viteve të mbushura me punë të palodhshme nga skuadra e tij. Ai pritet të zgjasë 25 ditë. Por duke qenë se avioni me energji diellore duher rikarikuar, pritet që 25 ditë të jetë vetëm koha e fluturimit, ndërsa e gjithë koha për të mbyllur ciklin do të jetë 5 muaj.

“Kemi punuar për 12 vjet dhe gjithmonë ideja ka qenë për diçka në të ardhmen. Ndërsa tani, e ardhmja është pothuajse këtu! Të gjithë janë mjaft të emocionuar. Gjithashtu po përgatisim pilotin dhe skuadrën sepse përveç teknologjisë, duhet të jemi të përgatitur për këtë udhëtim të gjatë”, shton Pikard.

Gjatë udhëtimit, dy pilotët e avionit, vetë Pikard dhe kolegu i tij Borshberg, do të duhet të përballen me temperature ekstreme, deri në minus 20 gradë celcius gjatë netëve ose mbi 30 gradë celcius gjatë ditëve. Gjithashtu lëvizjet e tyre do të jenë të kufizuara në kabinën drejtuese. Borshberg po stërvitet duke kryer joga dhe ushtrime për frymëmarrjen, të cilat me siguri do t’i duhen gjatë udhëtimit. Ai i ka bërë gati valixhet: tapeti për joga, krem për lëkurën dhe libra.

Të dy pilotët janë përgatitur për fluturimin gjatë një stërvitje intensive tri ditore në një simulator fluturimemi për të testuar durimin dhe për të caktuar kushtet më të mira të fluturimit. “duam të pushojmë e të flejmë për maksimumi 20 minuta gjatë fluturimit. Duhet të jemi në gjendje të rivendosim kontaktin me qendrën, të kontrollojmë që gjithçka është në rregull e më pas mund të pushojmë përsëri. Jemi stërvitur që të kemi gjashtë deri në tetë pauza 20 minutëshe çdo 24 orë, që do të thotë rreth dy orë gjumë çdo ditë fluturimi, jo shumë”, shpjegon Borshberg.

Me një shtrirje krahësh prej 72 metrash dhe peshë 2,3 tonë, Impulsi Diellor mban mbi shpinë 17 200 qeliza diellore të cilat karikojnë bateri litiumi me peshë 633 kilogramë. Këto bateri pritet që ta mbajnë avionin në fluturim për pesë ditë të plota, aq sa janë llogaritur kalimi mbi Paqësor dhe Atlantik.

Pikard shpreson që suksesi i kësaj nisme të hapë një dritare të re për të ardhmen e industrisë aeronautike. Ai dhe kolegu i tij, Borshberg e nisën projektin Impulsi Diellor në vitin 2003. Ata u rrëzuan në përpjekjen e tyre të parë për të përshkuar botën dhe më pas vendosën të ndërtonin modelin e dytë, edhe më të gjatë e më të fuqishëm se i pari. i gjithë projekti ka kushtuar 150 milionë dollarë!

SHKARKO APP