Senati miraton projekt-ligjin për shitjen apo ndalimin e TikTok-ut në SHBA

Senati amerikan miratoi të martën projekt-ligjin, që do ta detyrojë pronarin kinez të kompanisë “ByteDance” të shesë degën e aplikacionit popullor të videove të shkurtra, TikTok, në Shtetet e Bashkuara brenda rreth nëntë muajsh ose të përballet me një ndalim të aplikacionit në SHBA.

Projekt-ligji, i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve të shtunën, është nxitur nga shqetësimet se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e amerikanëve ose t’i përgjojë ata përmes aplikacionit TikTok. Për të hyrë në fuqi, projekt-ligji tani duhet të nëshkruhet nga Presidenti Biden, i cili ka thënë se do ta bëjë një gjë të tillë.

“Për vite të tëra ne kemi lejuar partinë komuniste kineze të kontrollojë një nga aplikacionet më popullore në Amerikë, një vendim jashtëzakonisht dritëshkurtër”, tha senatori Marco Rubio, republikani i rangut më të lartë në Komisionin e Senatit për Shërbimet e Zbulimit. “Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit të tij kinez të shesë aplikacionin. Ky është një veprim i mirë për Amerikën.”

Drejtuesit e kompanisë TikTok thonë se nuk kanë ndarë dhe nuk do të ndajnë të dhënat e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze. Ata kanë argumentuar se ligji përbën një ndalim që do të shkelte të drejtat e lirisë së shprehjes së përdoruesve të aplikacionit në Shtetet e Bashkuara.

Kompania nuk komentoi menjëherë, por gjatë fundjavës, ajo u tha punonjësve të saj se do t’i kërkonte shpejt gjykatës që të bllokonte hyrjen në fuqi të ligjit.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë, sepse bazuar në Amendamentin e Parë (të Kushtetutës amerikane) ky projektligj është një shkelje e qartë e të drejtave të 170 milionë amerikanëve në TikTok… Ky është fillimi, jo fundi i këtij procesi të gjatë”, u tha TikTok punonjësve të shtunën në një email, të cilin e ka parë agjencia e lajmeve Reuters.

Senati e miratoi ligjin me 79 vota pro dhe 18 kundër./VOA/

SHKARKO APP